Një megaoperacion i urdhëruar nga Prokuroria e Milanos ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti të gjerë ndërkombëtar të trafikut të drogës, me degë në disa shtete të Europës dhe Amerikës së Jugut. Gjashtë shtetas shqiptarë janë në mesin e 28 të arrestuarve, mes tyre persona të konsideruar si hallka të rëndësishme të logjistikës së trafikut.
Nga 28 të arrestuarit, 25 u lanë në burg, ndërsa 3 të tjerë në arrest shtëpie. Shqiptarët e arrestuar janë Marjus Aliu, Elvis Aliu, Fatjon Aliu, Ervin Bashmeta, Kujtim Daiu dhe Artur Hoxhosmani. Për të gjithë është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”. Tre vëllezërit Aliu (Elvis, Marjus dhe Fatjon) janë me origjinë nga Kavaja, ndërsa Artur Hoxhosmani është nga Burreli.
Sipas hetimeve, disa prej anëtarëve shqiptarë të grupit qëndronin në Milano duke përdorur makina luksoze të tipit Lamborghini dhe duke frekuentuar hotele të shtrenjta, mes tyre edhe 'Armani Hotel'. Njëri prej tyre, Artur Hoxhosmani, rezulton i arrestuar më parë në Shqipëri me urdhër të SPAK, i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Plaurent Dervishaj, Erion Alibej dhe Ermir Ndrejaj, grup i implikuar në trafikun e rreth 6 tonëve kokainë, me vlerë të përllogaritur 411 milionë euro.
Organizatë e lidhur me Ndrangheta-n
Sipas Prokurorisë së Milanos, organizata kriminale e goditur ishte e lidhur me klanin e Ndrangheta-s së Lokridës, e cila bashkë me ndërmjetës shqiptarë organizonte dhe financonte trafikun ndërkombëtar të kokainës. Ndër të arrestuarit është edhe një shtetas kinez i akuzuar për pastrim parash, i cili dyshohet se ka lehtësuar pagesat e drogës përmes sistemit informal të transferimit “fei ch’ien”.
Hetimi është mbështetur kryesisht në analizën e komunikimeve të koduara në SkyEcc, çka ka zbuluar një trekëndësh bashkëpunimi midis elementëve kriminalë nga Kalabria, Lombardia dhe Kampania.
Aktivitet në disa shtete
Sipas autoriteteve, rrjeti kishte qendrën në Lombardi, por shtrihej në Gjermani, Holandë, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Kolumbi dhe Brazil. Grupi përdorte sisteme të enkriptuara komunikimi dhe menaxhonte lidhjet me trafikantët e Amerikës së Jugut si dhe me ndërmjetësit shqiptarë.
Droga transportohej me anije drejt porteve të Livornos, Roterdamit, Gioia Tauro dhe Le Havre, duke përdorur teknikën e të ashtuquajturës “gacho eiego” (ose metoda e “grabitjes”), ku ngarkesat e kokainës fshihen brenda kontejnerëve me mallra të ligjshme.
Hetuesit kanë rindërtuar importe me një total prej rreth 3.5 tonësh, nga të cilat mbi 400 kg janë sekuestruar në Itali dhe jashtë saj. Brenda dy viteve, grupi dyshohet se ka trafikuar drogë me vlerë të përllogaritur mbi 27 milionë euro.
Kontrolle në disa provinca të Italisë
Aktualisht po zhvillohen kontrolle në provincat e Milanos, Pavias, Bergamos, Parmës, Imperias, Komos, Romës, Tarantos dhe Reggio Calabria, me mbështetjen e njësive të specializuara të Guardia di Finanza-s dhe të strukturave të luftës kundër pastrimit të parave. Qëllimi është sigurimi i provave të tjera dhe sekuestrimi i aseteve të organizatës kriminale.
© SYRI.net