Sindikata e Trepçës alarmon për kushtet e rrezikshme të punës: Minatorët nuk mund të presin më

Sindikata e Trepçës alarmon për kushtet e rrezikshme të punës: Minatorët nuk mund të presin më

13:43, 24/11/2025

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër sot ndaj kushteve në Minierën me Flotacion, duke paralajmëruar se situata e sigurisë ka arritur në një nivel kritik që “nuk mund të neglizhohet më”.

Në reagimin e publikuar, sindikata thekson se minatorët përballen çdo ditë me rreziqe serioze për jetën dhe shëndetin, ndërsa trajnime të detyrueshme për sigurinë në punë mungojnë, pavarësisht obligimit ligjor.

“Çdo ditë jemi dëshmitarë të lëndimeve të rënda e të lehta. Shumë kolegë kanë mbetur me pasoja të përhershme, ndërsa të tjerë me lëndime që nuk i sheh askush përveç regjistrave të brendshëm. Ky numër është alarmues”, theksohet në reagim.

Sindikata e konsideron pajisjet e vjetruara dhe mungesën e investimeve shumëvjeçare si ndër shkaqet kryesore të gjendjes së rënduar. Sipas tyre, punëtorët detyrohen të punojnë me makineri të amortizuara dhe në kushte të rrezikshme vetëm për të siguruar të hyrat minimale.

Në reagim i bëhet thirrje qeverisë së re që do të formohet pas zgjedhjeve, që të hartojë një plan serioz dhe afatgjatë për sektorin minerar, me investime të drejtpërdrejta në Trepçë. “Pa minatorët nuk ka prodhim, e pa prodhim nuk ka Trepçë”, thuhet tutje.

Po ashtu, nga menaxhmenti kërkohet që menjëherë të nisin trajnimet e sigurisë dhe të ndërmerren të gjitha masat mbrojtëse pa vonesë.

Sindikata paralajmëron se kushtet aktuale janë “të rënda, të rrezikshme dhe të papranueshme”, duke shtuar se minatorët “nuk mund të presin më”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco