Presidentja Vjosa Osmani lidhur me bllokimin e buxhetit të komunave ka deklaruar se ka kërkuar nga partitë politike të mblidhen dhe të votojnë, duke theksuar se kjo çështje ka qenë si pikë e veçantë në rend dite, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Ajo ka bërë të ditur se partitë kanë vendosur të mos jenë të pranishme në seancë, duke çuar në mosmiratimin e buxhetit.
Osmani theksoi se një veprim i tillë është i lejueshëm dhe jo i kundërligjshëm, duke kujtuar se procedura të ngjashme janë ndjekur edhe gjatë Qeverisë Hoti.
“Kam kërku nga partitë të mblidhen dhe ta votojnë buxhetin, për këto komuna ka qenë pikë e veçantë, por kanë vendosur mos të jenë të pranishëm. Një gjë e tillë është e lejueshme, nuk është e kundërligjshme, pasi një gjë të tillë e kemi votu edhe në Qeverinë Hoti”, tha Osmani.
Lidhur me bllokimin e buxhetit, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me punëtorët e Trafikut Urban protestuan para qeverisë. Fillimisht protesta nisi nga punëtorët e Trafikut Urban para Komunës, ku më pas iu bashkua edhe i pari i Prishtinës.
Nga qeveria, iu bë thirrje Kurtit dhe Muratit për një takim.
© SYRI.net