E mërkura vendimtare për Konjufcën? Një ditë para afatit, ende pa vota për Qeverinë

E mërkura vendimtare për Konjufcën? Një ditë para afatit, ende pa vota për Qeverinë

11:42, 18/11/2025

Mandatari për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, edhe këtë të martë ka vazhduar të heshtë. Ai ende nuk ka treguar nëse i ka siguruar votat e nevojshme, ndonëse ka mbetur vetëm edhe një ditë afat që të dalë para deputetëve dhe ta dëshmojë këtë. Nuk ka sqarime as nga LVV-ja e as nga presidentja Vjosa Osmani, e cila e kishte mandatuar Konjufcën me bindjen se ai kishte gjasat më të mëdha për formimin e Qeverisë.

Osmani tha se seanca mund të thirret edhe si e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve dhe se ajo pret që afati kushtetues të respektohet. Ajo theksoi se nuk mund ta paragjykojë rezultatin e votimit dhe se vendimmarrja tashmë i takon deputetëve dhe partive politike.

Ndërkohë, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka rikujtuar se afati për seancën skadon nesër dhe se, sipas tij, vendi ka urgjencë për themelimin e komisioneve parlamentare, sidomos atij për buxhetin.

LVV-ja po vazhdon përpjekjet për të siguruar votat për Konjufcën përmes kontakteve individuale me deputetë, pa një marrëveshje politike mes subjekteve. Por PDK-ja ka bërë të qartë se nuk do ta mbështesë mandatarin. Deputetët e kësaj partie thonë se janë të unifikuar dhe se nuk shohin interes të vendit në vazhdimin e qeverisjes nga LVV-ja.

 

Edhe AAK-ja ka ripërsëritur se nuk do të votojë për një Qeveri të udhëhequr nga Konjufca. Megjithëse ditë më parë një zyrtar lokal i kësaj partie në Prizren kishte kërkuar shqyrtimin e bashkëpunimit me LVV-në, udhëheqja qendrore e ka quajtur këtë thjesht mendim individual dhe ka theksuar se qëndrimi i partisë mbetet i palëkundur.

Kundërshtim të qartë ka edhe nga LDK-ja dhe Nisma, të cilat tashmë publikisht kanë refuzuar të japin votat e tyre.

Me afatin kushtetues që përfundon nesër, situata mbetet e paqartë dhe ende nuk dihet nëse Konjufca ka numrat për të formuar Qeverinë.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco