Flutura Kusari, juriste e medias, ka deklaruar se në dy vitet e fundit mbrojtjen më të madhe të lirisë së shprehjes dhe të medias në Kosovë e ka ofruar sistemi gjyqësor, ndërsa institucionet politike vazhdojnë të zbatojnë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për sulmet online ndaj gazetarëve dhe politikanëve.
Kusari tha se disa vendime gjyqësore kanë qenë kyçe në mbrojtjen e hapësirës së medias.
“Ne vitin 2024–2025 mbrojtësin ma të madh të lirisë së medias dhe shprehjes e kemi pasë sistemin gjyqësor. E kemi Gjykatën Kushtetuese që e ka rrëzu ligjin ma të rrezikshëm najherë. E kemi rastin e IKD në Gjykatën Supreme sa i përket KPM-së. I kemi aktgjykimet në veri, të paktën dy, që janë të mira dhe në harmoni me rastet e GjEDNJ”, tha ajo.
Sipas Kusarit, këto vendime tregojnë se gjyqtarët në Kosovë kanë një qasje pro lirisë së medias.
“Për mua, nëse është diçka me iu gëzu situatës, është që kemi mendësi të gjyqtarëve pro lirisë së medias”, u shpreh ajo.
Por, sipas saj, kur sulmohen gazetarë apo aktivistë, institucionet reagojnë ngadalë ose aspak, ndërsa për politikanët veprojnë menjëherë.
“Nëse ngacmohesh si aktiviste dhe gazetare, gjasat që prokuroria të të marrë seriozisht janë shumë të vogla. Nëse je grua, harroje. Ndërsa për politikanë, nëse ka çfarëdo mini-kërcënimi online, krejt shteti çohet në këmbë dhe ai person identifikohet dhe dërgohet në mbajtje. Standardet janë të dyfishta”, përfundoi Kusari. /BetimipërDrejtësi
© SYRI.net