Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur sot një mbledhje me drejtuesit e qendrave të saj në gjithë Kosovën, në selinë e LVV-së në Podujevë. Në takim morën pjesë Kryeministri dhe njëherit Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, Sekretari Organizativ, Alim Rama dhe Koordinatori i Qendrave, Salih Zyba.
Nga Lëvizja u vlerësua se këto zgjedhje lokale kanë sjellë rezultatin më të mirë deri më tani, me 7 komuna të fituara dhe 177 asambleistë të zgjedhur në nivel vendi.
Gjatë mbledhjes u diskutua për ecurinë e procesit zgjedhor dhe u analizuan rezultatet nëpër komuna, duke trajtuar të gjitha çështjet që kanë shoqëruar garën.
LVV theksoi se strukturat e saj në terren mbeten të mobilizuara kudo në lagje e fshatra, të gatshme për të gjitha sfidat politike, qoftë lokale apo qendrore. Sipas Lëvizjes, angazhimi i aktivistëve dhe besimi i qytetarëve kanë qenë çelësi i fitoreve të arritura.
Në njoftim, LVV tha se mbetet “alternativa e vetme serioze dhe zëri i vërtetë qytetar” në institucione, duke shtuar se fitoret e arritura nëpër komuna janë tregues për një “epokë të re suksesi” për subjektin.
Lëvizja falënderoi aktivistët në gjithë vendin për angazhimin e tyre dhe tha se rruga e saj politike vazhdon edhe më fuqishëm.
© SYRI.net