Zyrtari i Listës Serbe, Dragisha Milloviç, po akuzohet se po udhëheq një fushatë propagandistike me pretendime se “Kosova do të sulmojë serbët”. Sipas analistit Gurakuç Kuçi, kjo propagandë synon të shërbejë si mbulesë për veprimet në terren që kanë për qëllim rikthimin e strukturave paralele të Serbisë në veri, sikurse në vitin 2021 dhe më herët.
Kuçi ka përmendur edhe rastin e Sreçko Spasiç në Kllokot, i cili pas tërheqjes nga gara zgjedhore u shpërblye nga Serbia me një post fiktiv në “Organin e Përkohshëm Komunal të Vitisë”.
Sipas tij, përmes këtij veprimi Serbia po zhvillon një luftë hibride, duke e shtrirë ndikimin paralel në terren dhe përhapur propagandë në media e diplomaci se “Kosova do të sulmojë serbët”, me qëllim që çdo reagim institucional i Prishtinës të paraqitet si agresion.
Kuçi apelon që Kosova të mos heshtë, por as të bjerë në kurthin e kësaj propagande, duke reaguar me maturi, vendosmëri dhe diplomaci. Ai thekson rëndësinë e komunikimit të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë dhe të rritjes së masave të sigurisë pa u përfshirë në provokime.
Postimi i plotë:
Dragisha Milloviç nga Lista Serbe në krye të propagandës se: “Kosova do të sulmojë serbët”
Dragisha Milloviç i cili është nënkryetari i Listës Serbe, është duke sulmuar institucionet e Kosovës nëpërmjet propagandës se “Kosova do të sulmojë serbët”. Kjo propagandë është duke ndodhur si mburojë për veprimet e tyre në terren, ku synojnë që të rikthejnë strukturat paralele sikur që ishin në vitin 2021 e më herët.
Së fundmi, Sreçko Spasiç në Kllokot edhe pse arriti ta dërgoj në balotazh kandidatin e Listës Serbe, ai u tërhoq pastaj nga gara dhe nga Serbia u shpërblye me një post fiktivi si udhëheqës në “Organin e Përkohshëm Komunal të Vitisë”.
Millovic pra na e bëri me dije se lufta hibride e Serbisë është duke funksionuar në rikthimin e realitetit të para 2021 ku:
- Në terren shtrin ndikimin paralel;
- Në media dhe diplomaci propagandon se “Kosova do t’i sulmojë serbët”, pasi kështu synon të frenoj reagimin e Kosovës apo edhe çdo reagim ta paraqes si agresion.
Megjithatë, Kosova nuk duhet të heshtë por as të bie në këtë kurth. Reagimi duhet të jetë i matur, i vendosur dhe diplomatik, me komunikim intensiv në raport me aleatët ndërkombëtare dhe organizatat relevante. Shtimi i masave të sigurisë duhet të bëhet në mënyrë të qetë, pa rënë në provokime dhe pa u bërë pjesë e narratives së Beogradit.
© SYRI.net