Partia Demokratike e Kosovës do të mblidhet të hënën për të zgjedhur Kryetarin e ri, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.
Vetë Krasniqi bëri me dije se konventa do të mbahet të hënën, teksa tha se dorëheqja e tij nuk lidhet me zhvillimet e fundit, por se është një reflektim që e ka bërë tash e një kohë.
“Unë largohem nga detyra e Kryetarit të PDK-së me paqe, me mirënjohje dhe me krenari. Kam bindjen e thellë se PDK do të mbetet në duar të sigurta – në duar të njerëzve që besojnë, që punojnë dhe që bashkojnë. Kjo nuk është lamtumirë – por vetëm mirupafshim. Sepse kjo është shtëpia ime e dytë, shtëpia ime politike, shtëpia e krenarisë sime jetësore”, tha Krasniqi.
Duke folur për mbajtjen e konventës, Krasniqi tha se “E di se ajo ditë do të jetë dëshmi e pjekurisë sonë politike, e demokracisë sonë të brendshme dhe e forcës sonë për të ecur përpara”.
Krasniqi theksoi se mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe bashkimit të brendshëm.
“PDK është më shumë se një parti – është një amanet nga ata që luftuan për liri, për shtet dhe për dinjitet. Amaneti mbahet gjallë vetëm kur ne udhëheqim me shembull, me guxim dhe me përulësi. Kjo është detyra e liderit – të dijë jo vetëm si të qëndrojë mirë, por edhe si të largohet mirë.”
Krasniqi ishte zgjedhur Kryetar i PDK’së në korrik të vitit 2021, me shumicë votash. Nga 476 delegatë, kundër kishin votuar veç shtatë. Ai u zgjodh në këtë pozitë pasi Kadri Veseli dha dorëheqje nga drejtimi i partisë pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës ia konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
© SYRI.net