Një ushtar i FSK-së, që ndihmon në trajnimin e personelit të ushtrisë ukrainase po përballet me tri akuza për vepra seksuale në Britani të Madhe.
Siç raporton BBC, Bali Hoxha, 28 vjeç, nga Kampi West Tofts në Thetford, Norfolk, akuzohet për përdhunim dhe dy akuza për sulm seksual ndaj një gruaje, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.
Sipas raportimit, sulmi dyshohet se ka ndodhur përgjatë një shtegu midis Rrugës “Prince of Wales” dhe Parkut Tregtar “Riverside” rreth orës 23:30 më 17 shtator.
Hoxha ndodhet në paraburgim, ndërkaq gjyqi ndaj tij pritet të nisë më 7 prill, dhe pritet të zgjasë pesë ditë.
Siç raporton BBC, Hoxha pjesëtar i FSK-së, por i kontraktuar për të trajnuar ushtarë ukrainas të vendosur në qendrën e stërvitjes së Ushtrisë Britanike pranë Thetford, sipas një kontrate me Ministrinë e Mbrojtjes.
Ai konfirmoi vetëm emrin gjatë paraqitjes në gjykatë, por avokati mbrojtës Jonathan Goodman ka thënë se, ndonëse anglishtja e tij ishte e mjaftueshme për seancën e pranimit të fajësisë, do të kërkohej një përkthyes në gjuhën shqipe për gjyqin dhe për çdo seancë ndërmjetëse.
Gjithashtu, tre dëshmitarë, që janë po ashtu pjesëtarë të FSK-së, do të kenë nevojë për përkthyes kur do të mbahen seancat.
Gjykatës iu tha se ka gjasa që ata dëshmitarë të jenë të angazhuar në Kosovë në kohën e gjyqit, por FSK-ja do t’i lirojë për të marrë pjesë në seancë.
© SYRI.net