EKSKLUZIVE/ Gazetari i huaj konfirmon akuzat: Ja çfarë zbuluam për vëllain e Ramës dhe Taulant Ballën

09:49, 12/11/2025

Gazetari investigativ Antoine Harari, nga media ndërkombëtare "Follow the Money", ka konfirmuar se verifikimet e kryera nga ekipi i tij kanë vërtetuar akuzat e bëra më herët nga gazetarët shqiptarë ndaj vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Gjatë një interviste ekskluzive për KAFE SHQETO në SYRI TV, Harari theksoi se organizata e tij nuk zbuloi prova të reja, por mori përsipër verifikimin e denoncimeve ekzistuese. Sipas tij, akuzat që lidhen me implikimin e tyre në trafik, korrupsion dhe komunikime me eksponentë të krimit të organizuar, pas procesit të verifikimit të fakteve, "rezultuan të vërteta".

"Ne thjesht verifikuam disa nga pretendimet dhe i gjetëm ato të vërteta, dhe kjo është arsyeja pse i raportuam," u shpreh Harari, duke shtuar se puna e tyre ishte të bashkonin pikat e historive të ndryshme të raportuara në Shqipëri.

Gazetari i huaj vlerësoi lart punën e kolegëve të tij shqiptarë, duke pranuar se pavarësisht presionit politik dhe kontrollit që kryeministri Edi Rama ushtron mbi një pjesë të madhe të medias, "ka ende gazetarë të shkëlqyer në Shqipëri që bëjnë punën e tyre dhe marrin rreziqe".

Një tjetër pikë kritike e ngritur nga Harari ishte ajo që ai e cilësoi si "problematike": mungesa e ndarjes së pushteteve midis qeverisë dhe sistemit të drejtësisë. Ai shprehu shqetësimin për presionin që kryeministri ushtron mbi gjyqësorin, duke komentuar publikisht hetimet në vazhdim.

"Lidhja midis qeverisë dhe sasisë së presionit që Edi Rama ushtron mbi gjyqësorin është problematike. Pavarësisht se çfarë ndodh, ai do ta komentojë në TV, do të përpiqet ta orientojë në një drejtim, pa respektuar ndarjen e pushteteve," deklaroi Harari. Sipas tij, ky fenomen përbën një problem të madh për besimin tek institucionet dhe funksionimin e pavarur të drejtësisë.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco