Nga Lëvizja Vetëvendosje i kanë dalë në mbrojtje Ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, ndaj të cilës sot Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për keqpërdorim detyre dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Ish-Ministrja e Drejtësisë dhe nënkryetarja e VV’së, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si të motivuar politikisht aktakuzën ndaj Hajdarit.
Haxhiu ka thënë se është e njoftuar me këtë rast në çdo detaj, pasi edhe Avokatura Shtetërore ka qenë e përfshirë me qëllim të mbrojtjes së interesit publik.
“Ministrja Hajdari as nuk është e korruptuar, as nuk ka keqpërdorur ndonjëherë detyrën e saj zyrtare. Për këtë rast jam e njoftuar në çdo detaj, pasi edhe Avokatura Shtetërore ka qenë e përfshirë me qëllim të mbrojtjes së interesit publik. Kjo aktakuzë është e motivuar politikisht, pa asnjë bazë reale dhe dukshëm e qëllimshme”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se Hajdari ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar që Kosova të ketë rezerva shtetërore.
“Është e qartë se ekziston një tendencë për të njollosur figurën e saj. Drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe në punën e bërë, e jo në ndikime apo qëllime politike”, ka shkruar Haxhiu, teksa ka shpërndarë postimin e Hajdarit, ku ajo njoftoi se i është ngritur aktakuza.
© SYRI.net