Vazhdon përplasja e Presidencës me LDK-në

Vazhdon përplasja e Presidencës me LDK-në

17:16, 11/11/2025

Këshilltarja e Presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar ashpër edje ndaj deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, pasi ky i fundit i reagoi të parës së vendit meqë ajo mandatarin e ri dhe për çështjet që presin shqyrtim në Kuvend.

Kadaj-Bujupi, e cila ditë më parë u përplas me deputeten Hykmete Bajrami, sot ka deklaruar se Hoti është “njeriu i fundit në Kosovë që mund të flasë për moral politik”, duke e akuzuar se është bërë kryeministër “nëpërmjet shkeljes dhe keqpërdorimit të vullnetit qytetar, pa vota të tij dhe në mënyrë kundërkushtetuese”.

Ajo e ka akuzuar Hotin edhe për “nënshtrim ndaj Vuçiqit” gjatë kohës sa ishte kryeministër.

Në reagimin e saj, këshilltarja e Presidentes thotë se modeli i politikëbërjes së Hotit është “shembull i keq” që qytetarët e kanë kuptuar prej kohësh se nuk duhet ndjekur. Ajo e akuzon deputetin e LDK-së se edhe sot “ka tentuar të mashtrojë”.

Kadaj-Bujupi sqaron se deklarata e Presidentes Osmani ka qenë e qartë: çështje si zgjatjet buxhetore, Plani i Rritjes, buxheti i RTK-së, marrëveshjet me Bankën Botërore dhe vendime të tjera të ngjashme janë në vullnetin e të gjitha partive politike në Kuvend. Ajo thekson se Presidentja ka propozuar që, nëse partitë opozitare nuk pajtohen që këto vendime të procedohen nga Qeveria në detyrë, ato mund të procedohen nga vet Presidentja ose nga deputetët, brenda kompetencave kushtetuese.

Sipas saj, Kushtetuta dhe ligjet në fuqi e lejojnë këtë mekanizëm, ndërsa mundësia për miratimin e këtyre vendimeve ekziston plotësisht. Megjithatë, Kadaj-Bujupi thotë se “ekzistojnë njerëz si Hoti që gënjejnë qytetarët pa pikë turpi”, duke mos marrë parasysh se moskalimi i këtyre vendimeve mund t’i kushtojë Kosovës mbi 1 miliard euro dhe të lërë mijëra familje pa paga, ushqime dhe barna.

Ajo shton se Hoti ka prioritet “të sulmojë Presidenten”, duke kujtuar deklaratat e tij të mëhershme se “Vjosa Osmani do të marrë zero vota”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me deklarimin e sotëm të Presidentes së Kosovës për çështjet që presin shqyrtim në Kuvend.

Hoti tha se deklarata e saj është për keqardhje, duke theksuar se ajo e di mirë se për shqyrtimin e çështjeve në Kuvend, duhet të kryhen veprime kushtetuese që lidhen me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.

Sipas Hotit, Presidentja po bashkohet në një “fushatë të presionit publik ndaj partive politike” dhe inkurajon mediat që të bëjnë presion.

Ai shtoi se ajo po ndihmon në ndërtimin e “narrativave mashtruese për zgjedhjet e reja”, duke mos përmendur aktgjykimin e Gjykatës Supreme që, sipas Hotit, tregon se disa anëtarë të qeverisë po mbajnë postet qeveritare si deputetë në mënyrë joligjore.

Hoti përfundoi reagimin e tij me një vlerësim të ashpër: “Kaq për moralin politik të saj. Mjerim.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco