Zgjedhjet lokale: Supremja refuzon katër ankesa ndaj vendimeve të PZAP-së

Zgjedhjet lokale: Supremja refuzon katër ankesa ndaj vendimeve të PZAP-së

16:07, 11/11/2025

Gjykata Supreme, ka refuzuar katër ankesa të paraqitura ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Rasti i parë ka të bëjë me ankesën e Kreshnik Sopit, kandidatit për Asamble nga radhët e subjektit “Lidhja e Prishtinës”.

“Ankuesi kishte kontestuar mënyrën e aplikimit të kuotës gjinore, e cila, sipas tij, “në vend që të garantojë përfshirje minimale të gjinisë së kundërt, është zbatuar në mënyrë mekanike duke tejkaluar kufirin e arsyeshëm dhe duke çuar në përjashtimin e një kandidati që ka fituar më shumë vota nga qytetarët”, thuhet në vendimin e Supremes.

Kjo gjykatë, konstatoi se mënyra e përllogaritjes së mandateve, siç është aplikuar nga KQZ dhe është konfirmuar nga PZAP, nuk cenon përcaktimin e vullnetit të votuesit, e as nuk bie në kundërshtim me praktikat e zgjedhjeve e as me praktikën e GJEDNJ-së, sikurse pretendon pala ankuese.

“Gjykata Supreme vlerëson se përfaqësimi gjinor nuk është vetëm një kërkesë formale në përbërjen e listës, por një detyrim që zbatohet edhe gjatë shpërndarjes së mandateve, në mënyrë që të sigurohet përfaqësim efektiv i të dy gjinive në institucionet e zgjedhura”, thuhet në vendim.

Në rastin e dytë, u refuzua ankesa e Isuf Osmanit, kandidat për Asamble Komunale në Podujevë nga radhët e PDK-së.

“Edhe në këtë rast, ankuesi kishte kontestuar aplikimin e kuotës gjinore. Kolegji i Gjykatës Supreme, theksoi se, “pretendimet e kandidatit në ankesë se ulësja në Kuvendin Komunal i takon atij nuk qëndrojnë ligjërisht, pasi një veprim i tillë do të shkelte dispozitat mbi kuotën gjinore dhe do të cenonte përfaqësimin minimal prej 30% të gjinisë më pak të përfaqësuar në Kuvend Komunal”, thuhet në këtë rast.

Kurse, në rastin e tretë është refuzuar si e pathemeltë ankesa e paraqitur nga ankuesit: Tush Berisha, kryetar i subjektit politik: Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), dhe Anduena Culaj, kandidate dhe bartëse e listës, nga radhët e këtij subjekti politik, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.391/2025, të datës 05.11.2025.

“Ankuesit kontestojnë vendimin e PZAP-së duke propozuar që të bëhet rishpërndarja e mandateve për Asamblenë Komunale në Komunën e Klinës”.

“Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se Ligji për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, nuk garanton ndarje të mandateve në mënyrë identike me komunat e tjera, të cilat janë marrë si shembuj në ankesë. “Për më tepër, në asnjë dispozitë ligjore të këtij ligji nuk përcaktohet kuotë për kuvendin komunal si tërësi, por për listat e subjekteve, andaj edhe ndarja e ulëseve varet ekskluzivisht nga rezultati i votave brenda asaj komune dhe renditja e kandidatëve në listën e subjektit politik, duke respektuar kuotën minimale gjinore prej 30 për qind”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme të Kosovë.

Ndërkaq, në rastin e katërt, është refuzuar si e pabazuar ankesa e kandidat për asamblist të Kuvendit Komunal në Komunën e Mitrovicës së Veriut, nga Subjekti Politik Iniciativa për Mitrovicën e Veriut, Nedzad Uglanin, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.390/2025 të datës 5.11.2025.

“Uglanin në ankesën e tij, propozon që Gjykata Supreme të kthejë çështjen për rishqyrtim dhe ta urdhërojë PZAP-në që të rivlerësojë vendimin duke përcaktuar numrin e banorëve rezident në bazë të burimeve statistikore. Gjykata Supreme e Kosovës, pas shqyrtimit të çështjes, e ka pranuar si të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, duke konsideruar se në rastin konkret juridik, është marrë vendim i drejtë, me të cilin nuk është bërë diskriminim dhe nuk është cenuar e drejta zgjedhore apo ndonjë e drejtë themelore e paraparë me Ligj dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës; nuk janë cenuar parimet themelore të procesit zgjedhor të parapara shprehimisht me nenin 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe me dispozitat përkatëse të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco