Elvis Feka reagon për “gabimin teknik” në Mitrovicë: Dikur vulat mbanin kodin e vendvotimit, sot ai vendoset në fletëvotim

Elvis Feka reagon për “gabimin teknik” në Mitrovicë: Dikur vulat mbanin kodin e vendvotimit, sot ai vendoset në fletëvotim

10:42, 11/11/2025

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Mitrovicës dhe anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së, Elvis Feka, ka reaguar pas debatit publik mbi kodet identifikuese në fletëvotime dhe “gabimin teknik” që u raportua në disa vendvotime të Mitrovicës.

Në reagimin e tij, Feka sqaroi se kodi i vendvotimit nuk është element i ri, por pjesë e sistemit të sigurisë së zgjedhjeve që garanton gjurmueshmëri, transparencë dhe mbrojtje kundër manipulimeve.

“Kodi i vendvotimit tregon nga cili vendvotim vjen fletëvotimi, parandalon mashtrimet dhe mundëson gjurmim në rast kontestimi – pa cenuar anonimitetin e votuesit,” shkroi ai në Facebook.

Por sipas Fekës, ndryshimi që ka ndodhur në vite ka të bëjë me mënyrën e identifikimit të vendvotimeve:

“Në të kaluarën, vulat mbanin numrin e vendvotimit – pra çdo vendvotim kishte vulën e vet. Sot, ky identifikim është zhvendosur në vetë fletëvotimin. Kjo është bërë për të forcuar sigurinë dhe për ta bërë procesin më të kontrollueshëm,” shpjegon ai, raporton Syri.net në Kosovë.

Megjithatë, ai thekson se ndryshimi i këtij mekanizmi ka sjellë konfuzion në disa raste, përfshirë edhe rastin e Mitrovicës, ku është raportuar si “gabim teknik”.

“Kur ndryshohet mënyra e identifikimit – nga vula në kodin e shtypur – mund të ketë keqkuptime teknike, por kjo nuk cenon vullnetin e votuesve dhe as rezultatet,” shtoi ai.

Feka e mbyll reagimin duke kërkuar më shumë qartësi dhe profesionalizëm nga institucionet zgjedhore, në mënyrë që qytetarët të kenë besim të plotë në procesin demokratik


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco