Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se votat jashtë Kosovës përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale do të numërohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pas përfundimit të procedurave të verifikimit.
Elezi bëri të ditur se tërheqja e dërgesave postare nga 22 kutitë jashtë vendit do të bëhet së shpejti. Për 18 komunat ku u mbajt balotazhi, numri i votuesve të regjistruar për votim jashtë Kosovës ishte 29,725, ndërsa aktualisht nuk dihet sa prej tyre kanë dërguar votën e tyre.
“Sa i përket votimit jashtë Kosovës përmes postës, njoftojmë se tërheqja e dërgesave postare nga 22 kutitë postare jashtë Kosovës do të bëhet së shpejti. Numri i votuesve të regjistruar për votim jashtë Kosovës në këto 18 komuna, ishte: 29,725. Aktualisht nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë votuar.”, tha Elezi.
Ky proces është pjesë e aktiviteteve të KQZ-së për të garantuar transparencë dhe korrektësi, duke u siguruar që çdo votë e dërguar me postë të verifikohet në përputhje me listat e votuesve dhe rregulloret zgjedhore.
KQZ thekson se numërimi i këtyre votave do të bëhet disa ditë pas skanimit të listës së votuesve dhe pas verifikimit të zarfeve, duke përfshirë edhe rastet e votimit me kusht dhe nga personat me nevoja të veçanta.
© SYRI.net