SYRI TV/ Rama dhe Balluku i bëjnë karshillëk SPAK

14:54, 10/11/2025

Kryeministri Edi Rama doli sot në krah të zëvendëses së tij, Belinda Balluku, duke i bërë karshillëk SPAK-ut, që 10 ditë më parë vendosi nën akuzë ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës. Duke komentuar këtë dalje publike, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se kryeministri Edi Rama është i marrë peng nga Balluku, pasi të dy janë të përfshirë në aferën e tunelit të Llogarasë.

Syri TV

Megjithëse prej 10 ditësh është vendosur zyrtarisht nën akuzë dhe po hetohet nga SPAK, zv.kryeministrja Belinda Balluku ka vijuar t’i bëjë karshillëk institucioneve të drejtësisë, këtë herë në krah të kryeministrit Edi Rama dhe me bekimin e tij. Rama dhe Balluku dolën së bashku para mediave në një aktivitet për të prezantuar projektin “OSHEE Charge”, duke lënë të kuptohet se puna e ministres së Infrastrukturës vijon normalisht, pavarësisht se ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tenderin 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë.

Edhe kryeministri, edhe zëvendësja e tij, e cila është marrë e pandehur nga SPAK, kanë shmangur komentet, duke mos mbajtur përgjegjësi për një tjetër aferë korruptive, atë të tunelit të Llogarasë, ndërsa me këtë dalje publike kryeministri duket se e ka marrë në mbrojtje numrin dy të qeverisë së tij.

Daljen publike të Ballukut në krah të kryeministrit e komentoi edhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili deklaroi se kjo shfaqje e tyre në publik tregon se Rama është marrë peng nga Belinda Balluku, pasi të dy janë bashkë në korrupsion.

Kjo ishte dalja e parë e Belinda Ballukut në krah të Edi Ramës, prej momentit kur ajo u paraqit me avokat në SPAK.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco