LDK reagim ndaj Xhelal Sveçlës: Sjellje arrogante dhe kërcënuese ndaj aktivistit tonë

LDK reagim ndaj Xhelal Sveçlës: Sjellje arrogante dhe kërcënuese ndaj aktivistit tonë

12:01, 09/11/2025

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër pas një incidenti të përfshirë me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, të cilin e akuzon për “sjellje arrogante dhe kërcënuese” ndaj një aktivisti të saj.

Sipas LDK-së, Sveçla ka ndaluar një aktivist të partisë që po qëndronte në trotuar dhe e ka fotografuar pa pëlqimin e tij – veprim që, siç theksohet në reagim, “është i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve”.

“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit”, thuhet në komunikatën e partisë.

LDK thekson se çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të jetojë dhe të shprehet i lirë, pa frikë e pa presion, ndërsa sjellje të tilla përbëjnë “cenim të drejtpërdrejtë të standardeve demokratike”.

Në fund të reagimit, LDK i bën thirrje institucioneve të garantojnë “një mjedis të qetë, të sigurt dhe dinjitoz” për qytetarët gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar përkushtimin e saj ndaj respektit dhe kulturës demokratike.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco