Kompania “NewCo Ferronikeli Complex L.L.C.” ka njoftuar përmes një komunikate për media se, për shkak të ndërprerjes së zgjatur të prodhimit dhe kushteve të vështira të tregut që kanë ndikuar negativisht në shitje dhe fitime, do të nisë një proces ristrukturimi të stafit. Ky hap, sipas kompanisë, është pjesë e një plani më të gjerë për të siguruar stabilitetin financiar dhe funksionalitetin afatgjatë të kompanisë.
Në njoftim thuhet se vendimi është marrë pas më shumë se dy vitesh sfidash për mbajtjen e operacioneve dhe ruajtjen e vendeve të punës, që prej ndalimit të plotë të prodhimit në tetor të vitit 2023.
Një faktor që ka ndikuar në këtë situatë, sipas kompanisë, është edhe rritja e ndjeshme e çmimeve të energjisë elektrike.
“Pavarësisht angazhimeve serioze për uljen e kostove, operacioneve të reduktuara, orëve të reduktuara të punës dhe mbajtjes së furrës kryesore në gjendje të ngrohtë, mungesa e vazhdueshme dhe e gjatë e të ardhurave e ka bërë gjendjen financiare të paqëndrueshme.
Pas vlerësimit tepër të kujdesshëm, menaxhmenti ka vendosur se mbajtja e fuqisë punëtore aktuale pa prodhim është bërë e pamundur. Prandaj, kompania nuk ka alternativë tjetër veçse të vazhdojë me largimin kolektiv në përputhje të plotë me Ligjin e Punës.
Të gjithë punonjësit e prekur do të marrin të drejtat e tyre ligjore deri në datën e ndërprerjes, dhe njoftimet individuale do të lëshohen sipas procedurave ligjore. Kompania mbetet e përkushtuar për një proces të drejtë, transparent dhe me respekt ndaj secilit punonjës”, thuhet në komunikatë.
“NewCo Ferronikeli mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj Kosovës dhe njerëzve të saj. Sapo kushtet e tregut të lejojnë rifillimin e prodhimit, punonjësit e prekur do të kenë prioritet për ripunësim. Një numër i kufizuar personelit thelbësor do të mbetet për të siguruar integritetin e kompanisë, të menaxhojë licencat minerare dhe të përmbushë detyrimet ligjore.
Pavarësisht sfidave aktuale, NeëCo Ferronikeli mbetet e bindur në potencialin afatgjatë të prodhimit të nikelit dhe është e vendosur të rikthejë operacionet e plota sapo të kthehet stabiliteti i tregut”, thuhet aty.
© SYRI.net