Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë publik sot një postim në Facebook ku kujtoi se më 5 nëntor 2020, menjëherë pasi kishte vendosur lule te varri i Astrit Deharit, Rexhep Selimi ishte dërguar në burgun e Hagës – ku ndodhet ende edhe pas pesë vitesh.
Kurti theksoi se përveç Selimit, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim prej pesë vitesh, ndonëse Prokuroria ka përfunduar rastin e saj dhe nuk ka më dëshmitarë.
“Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”, shkroi ai, duke shtuar se ka kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi i procesit.
Në postim, Kurti bashkëngjiti edhe letrën që i kishte dërguar në shtator të vitit 2022 kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trandafilova, ku kishte kërkuar lirimin e të paraburgosurve.
“E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës”, theksoi Kurti.
Ai shtoi se, pavarësisht se përgjigja e Trandafilovës nuk solli ndryshim, kërkesat për lirimin e tyre mbeten të vlefshme dhe se Kosova ka të gjitha garancitë për një përgjigje pozitive.
© SYRI.net