Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në pesë vjetorin e ndalimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ka kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët.
Krasniqi, në një postim në Facebook, ka thënë se për 1,826 ditë, ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, durim e besim.
“Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s’e ka marrë verdiktin që e meriton. Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
© SYRI.net