Lëvizja Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën për mandatar për qeverinë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti e bëri të ditur këtë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm për të caktuar mandatarin për kryeministër të Kosovës.
Kjo mbledhje e LVV-së vjen vetëm një ditë para se të kalojë afati 10-ditor i presidentes Vjosa Osmani, për t’i dhënë dikujt mandatin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës apo për të shpallur zgjedhje të reja.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi si “shfaqje teatrale” mbledhjen e LVV-së, që i cilësoi si “mandatar pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik”.
“Dua të besoj se presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare”, shkroi ai në Facebook.
Osmani u takua me përfaqësuesit e partive politike më 31 tetor për të diskutuar për çështjen e mandatarit dhe të zgjedhjeve.
Pas mbledhjes, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se nuk ka shumicë dhe se zgjedhjet duket të jenë opsion. Ndërkaq, Kurti nuk u prononcua për media.
Pas takimit, Osmani tha se Kurti i kishte kërkuar një takim para 5 nëntorit – kur përfundon periudha 10-ditore – për të parë nëse mund të formohet shumica.
© SYRI.net