Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi, ka prezantuar arritjet e sistemit prokurorial dhe prioritetet për përmirësimin e funksionimit të tij gjatë Konferencës Vjetore të Prokurorëve,
Istrefi theksoi përpjekjet për ngritjen e sistemit prokurorial në nivel më të lartë përmes përpilimit të akteve ligjore, përmirësimit të infrastrukturës dhe digjitalizimit të proceseve.
“Buxheti për investime kapitale është zhvilluar me mënyrë efikase, duke paraqitur institucione që shfaqin seriozitet, ashtu siç e meriton institucioni i pavarur i Prokurorit të Shtetit,” tha Istrefi.
Ai theksoi edhe forcimin e transparencës, duke evidentuar një rritje të ndjeshme të përgjigjeve ndaj kërkesave të mediave – 3.332 përgjigje gjatë vitit 2024.
Istrefi gjithashtu njoftoi nisjen e procedurave për digjitalizimin e arkivave dhe zhvillimin e procedurave meritore gjatë rekrutimit, me qëllim krijimin e një administrate profesionale dhe rritjen e llogaridhënies.
“Pavarësisht mungesave në aprovimin e kërkesave buxhetore, mbesim të bindur për të punuar për realizimin e detyrave kushtetuese, ligjore dhe profesionale,” tha Istrefi.
Ai përfundoi duke theksuar se përkushtimi ndaj digjitalizimit, transparencës dhe meritokracisë do të forcojë besimin e qytetarëve në sistemin prokurorial./Betimipërdrejtësi
© SYRI.net