Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka sqaruar se në takimin e sotëm me Ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin, nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e pagës minimale.
Në njoftim thuhet se takimi ka qenë konsultues dhe se vetëm janë dhënë propozimet.
DhTIK ka kërkuar që vendime të tilla tè merren kur të funksionalizohen institucionet.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, dëshiron të sqaroj për publikun se në takimin e thirrur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nuk është marrë asnjë vendim rreth nivelit të pagës minimale. Takimi ka qenë konsultues dhe palët pjesëmarrëse kanë dhënë mendimet e tyre dhe propozimet rreth kësaj çështje. DhTIK nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por ka kërkuar që një vendim i tillë duhet të merret vetëm atëherë kur Kosova të ketë institucione funksionale dhe fuqiplota, të bëhet një analizë e thelluar e gjendjes ekonomike, dhe propozimi për pagën minimale të vijë përmes Këshillit Ekonomiko-Social, e jo përmes Ministrisë së Financave. Marrja e vendimit ad-hoc vetëm sa do të vështirësoj situatën ekonomike dhe ku më të dëmtuarit do të jenë qytetarët”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi, ka folur pas takimit, ka thënë se kërkesa e tyre ishte që paga minimale në sektorin privat të jetë 600 euro, megjithatë tregoi se janë pajtuar që nga muaji janar i vitit të ardhshëm, kjo pagë të jetë 500 euro.
“Është diskutuar për pagën minimale. Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë 600 euro në sektorin privat. Unë e kam pa pëlqimin e njerëzve kompetentë ose qeverisë në detyrë, që vlerësimi i tyre është që kjo pagë të jetë 500 euro dhe e kam pyetur nëse gjithçka shkon në rregull, kur mendoni të fillojë së implementuari. Sipas deklarimit të ministrit është thënë që paga minimale prej 500 euro të fillojë së implementuari në janar, por megjithatë nuk e ka hedhur poshtë edhe propozimin tonë për shumë 600 euro. Nga të gjithë akterët që ishim jemi pajtuar që paga minimale të jetë 500 euro dhe të fillojë së implementuari në janar”, tha Azemi pas takimit./Reporteri.net
© SYRI.net