PLUG/ 'Vendimmarrje e jashtëligjshme', Erion Isai u kujdes personalisht për agroturizmin pa leje ndërtimi të drejtorit Armand Tafili

22:22, 29/10/2025

Emisioni Investigativ ‘PLUG’ – 29 tetor 2025 në Syri TV 

Këtu pjesa e tretë e PLUG SKANDALI ‘5D’ NË ERSEKË - Erion Isai ‘qerasi’ drejtorin Spiro Zoto me 210 mijë euro për vitin e ri

Më poshtë pjesa e katërt

Është e qartë deri këtu se Erion Isai, ka krijuar një mini “5D” në bashkinë Kolonjë. Ku kryetarit të njësisë administrative të Rehovës dhe kryeplakut të fshatit Starje, u bën dhuratë 210 mijë euro nga taksat e qytetarëve në fundin e vitit 2023. Kompania e drejtorëve të Erion Isait, merr paradhënie të gjithë fondin e tenderit dhe nuk kryen asnjë punim në digën e rezervuarit të Gjonçit.

Nga ana tjetër, kompania rezulton se nuk ka as dhe një lopatë në dispozicion për të kryer punime, por paratë që i merr nga Erion Isai i kapitalizon si fitim neto, që tashmë pret të shpërndahet në formën e dividentit. E teksa këto janë shkelje të faktuara, “5D”, Plug do  t`ju tregoj detaje nga një tjetër “5D” e bashkisë Kolonjës, Armand Tafilin, drejtorin që përfitoi mbi 230 mijë euro nga IPARD për të ndërtuar Agro Turizëm. 

Siç edhe e keni kuptuar deri më tani, emri i Armand Tafilit është i lidhur me çdo aferë të Erion Isait në bashkinë e Kolonjës. Ai ka firmosur pothuajse çdo tender, ku siç dëshmohet, dëmet ndaj buxhetit të shtetit shkojnë në miliona euro.

Dhe duket se për shërbimet që i ka bërë shefit të tij, Erion Isai, Armand Tafili u shpërblye, duke përfituar një grant prej 234 mijë eurosh nga IPARD, për të ndërtuar një agro turizëm. Plug, po risjellë përsëri në kujtesë sesi Armand Tafili, ky nëpunës i thjeshtë i bashkisë së Kolonjës, u bë papritmas biznesmenë me fondet e IPARD, në konflikt të hapur interesi.

Ky shtetas nuk ka pasur asnjë lidhje me bujqësinë, pasi së paku nga të dhënat publike nuk rezulton se është një fermer. Provë është edhe fakti se Armand Tafili u regjsitruar me nipt si person fizik në 7 prill të vitit 2021. Është e qartë, se qëllimi i regjistrimit  të këtij nipti ka qenë për të përfituar plotë 234 mijë euro nga fondet IPARD me qëllim ndërtimin e Agro Turizëm Rohan. Dhe siç shihet nga foto, ky agroturizëm është vatra e zyrtarëve socialistë të juglindjes për të ngrënë dreka e darka në një biznes të ndërtuar me paratë që duhet t`i merrnin fermerët shqiptarë. 

Siç paralajmëroi Plug, ka vijuar investigimin për Armand Tafilin. Ky shtetas, ka regjistruar nipt  si person fizik në datën 7 prill 2021. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Armand Tafili ka regjistruar emailin e tij dhe të bashkëshortes Matilda Tafili. Kjo e fundit, rezulton gjithashtu të jetë punonjëse në Bashkinë Kolonjës, si edukatore në një nga kopshtet e qytetit. Nga themelimi i këtij biznesi e deri më sot, Armand Tafili nuk ka regjistruar asnjëherë bilance në qendrën kombëtare të biznesit. 

Nga një hetim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se Erion Isai miratoi leje ndërtimi për vartësin e tij drejtor, Armand Tafili, duke shkelur disa ligje.

Sipas KLSH, Erion Isai miratoi certifikatën e përdorimit jo në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi për lejen e ndërtimit, duke gjetur të paktën tetë shkelje të rënda ligjore, të cilat do të mjaftonin për të dërguar para drejtësisë Erion Isain dhe disa vartës së tij. 

"Nga auditimi i procedurës së miratimit të çertifikatës së përdorimit, për të cilën është marrë vendimi për miratim të Kryetarit të Bashkisë Kolonjëpër objektin “Ndërtim objekte në funksion të agroturizmit”, me adresë në Ersekë, Bashkia Kolonjë, paraqitur nga zhvilluesi Armand Tafaili u konstatua se: 

1. Aktet e kontrollit sipas fazave të ndërtimit nuk janë përpiluar dhe dorëzuar elektronikisht sipas përcaktimeve të VKM-së nr. 408, datë 13.05.2015, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, neni 27/1, pika 1. Nga auditimi i dokumentacionit të ngarkuar elektronikisht në sistemin e-lejet konstatohet se mungojnë të gjitha aktet e kontrollit. 

2. Mungon akti përkatës i lëshuar nga institucionet kompetente për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, kjo në kundërshtim me VKM-në nr. 408, datë 13.05.2015, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, neni 27/2, pika 1, nënpika ë). 

3. Mungon projekti as-built, kjo në kundërshtim me VKM-në nr. 408, datë 13.05.2015, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, neni 27/2, pika 1, nënpika g). Projekti as-built, duhet të ngarkohet në çdo rast kur objekti nuk ka respektuar projektin arkitektonik të miratuar. 

4. Mungon dokumentacioni i plotë i ngarkuar në sistemin e-leje tek i cili nuk u gjetën fotografi në të gjitha anët e fasadave, kjo në kundërshtim me VKM-së nr. 408, datë 13.5.2015, “Për miratimin e rregullores së 146 zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, në nenin 27/2, në pikën 1, gërma j, përcaktohet që në dokumentet që duhet të paraqesë aplikuesi për pajisjen me certifikatë janë fotografi të objektit në të gjitha orientimet. 

5. Mungojnë licencat profesionale të shoqërisë ndërtuese, kjo në kundërshtim me VKM-në nr. 408, datë 13.05.2015, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, Neni 27/2, pika 1, nënpika k). 

6. Mungon kontrata midis zhvilluesit dhe mbikëqyrësit të punimeve, kjo në kundërshtim me VKMnë nr. 408, datë 13.05.2015, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, Neni 27/2, pika 1, nënpika l). 

7. Mungon akti përkatës për menaxhimin e mbetjeve urbane, kjo në kundërshtim me VKM-në nr. 408, datë 13.05.2015, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, Neni 27/2, pika 1, nënpika ë). 

8. Mungon çertifikata përfundimtare e auditimit të eficencës energjitike, kjo në kundërshtim me Ligjin nr.124/2015 “Për eficencën e energjisë”, pika 5, nënpika b). 
 

Për miratimin e çertifikatës së përdorimit në kundërshtim me përcaktimet ligjore të sipërcituara, ngarkohen me përgjegjësi tre zyrtarë të bashkisë Kolonjë dhe kryebashkiaku, Erion ISai, që sipas KLSH, ka bërë vendimarrje të jashtëligjshme. 
 

KLSH
" Gjithashtu, në zbatim të Ligjit 107/2014, “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, i ndryshuar, neni 29, pika a), për vendimmarrjen e jashtëligjshme lidhur me aplikimin për leje ndërtimi në territorin administrativ të Bashkisë Kolonjë, ngarkohet me përgjegjësi: Erion Isai., në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Kolonjë"


Plug ka siguruar të dhëna të tjera, që tregojnë thellojnë këtë skandal. Erion Isai edhe pse ishte në dijeni të plotë për shkeljet ligjore që po kryente, është kujdesur personalisht për ndërtimin e Agroturizëm Rohan, të drejtorit të tij Armand Tafili, duke e promovuar pa asnjë droje. Në 24 tetor 2023, Erion Isai publikon në rrjete sociale, ku shfaqet së bashku me Armand Tafilin dhe një tjetër person, duke inspektuar punimet për ndërtimin e katër vilave të Agro Turizëm Rohan.

Madje, kryebashkiaku krenohet me investimin duke shkruar: Një super hapësirë po i vjen Kolonjës. Një bujttinë sharmante në shpat të Gramozit në Starje! Turizmi është porta e madhe e kësaj krahine që vetëm këtë vit është rritur 2,5 herë nga viti i kaluar. Falë mbështetjes se fondeve të BE  Armandi dhe familja e vet po na shton një mrekulli në “gjoks” të Gramozit; Starje!

Më 26 shkurt, Olta Xhaçka dhe Erion Isai, bujtin në agroturizmin e Armand Tafilit, duke bërë përsëri një inspektim të imtësishëm të punimeve, për ndërtimin e vilave, që ndërtoheshin pikërisht me paratë që duhet t`i merrnin fermerët shqiptarë, por që përfunduan në xhepin e drejtorit të Erion Isait.

Dhe pavarësisht këtyre shkeljeve ligjore, Ministria e Mjedisit, në vitin 2020, ka licensuar Armand Tafilin ME "CERTIFIKATË PARAPRAKE PËR VEPRIMTARI PRITËSE TË CERTIFIKUAR SI AGROTURIZËM".

Armand Tafili, rezulton se është punësuar në Bashkinë Kolonjë, në vitin 2016, ku Plug ka siguruar një dokument që tregon se drejtori i ardhshëm i Erion Isait, filloi punë në zyrën e gjendjes civile, duke u kualifikuar për këtë pozicion pune me vetëm 14 pikë nga 100 që duheshin gjithësej nga testimi që zhvillohej për pranimin në shërbimin civil.

Por pavarësisht njohurive të tij të dobëta, shërbimet ndaj Erion Isait, Elisa Spiropalit, Niko Peleshit dhe Olta Xhaçkës, duket se e shndërruan këtë personazh në jo vetëm drejtor të rëndësishëm në bashkinë Ersekë, por edhe në një drejtor “5D”, që përfiton leje ndërtimi nga shefi i tij dhe mbi të gjitha me këtë leje ndërtimi të paligjshme, përfiton 234 mijë euro grant nga fondet IPARD për të ndërtuar një agroturizëm. 

Nga kaq sa ju paraqitëm, e kuptoni pse Erion Isai la aktrimin, ku fitonte të ardhura të konsiderueshme, për të punuar si kryebashkiak i Ersekës me një rrogë prej vetëm 84 mijë lekësh të rinj në muaj.

Ju treguam, se me firmën e tij, sot qytetarët shqiptarë llogarisin një dëm financiar prej më shumë se 10 milion eurosh vetëm për ndërtim ujësjellësash.

Treguam se Erion Isai, me dijeni të plotë mbështeti skemat “5D” të drejtorëve, duke u firmosur diku qindra mijëra euro tendera për punë që nuk u kryen kurrë, dhe diku, duke u kujdesur personalisht për ndërtim agroturizmi me paratë e fermerevë dhe mbi të gjitha, me 8 shkelje të rënda ligjore.

Javën e ardhshme, do t`ju tregojmë se Erion Isai e pati dorën dhe më të rëndë, ku përsëri me firmë të tij, u falsifikua projekti i rrugës Korçë-Ersekë, që u kushtoi qytetarëve shqiptarë mbi 82 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco