Të enjten mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën do të diskutohet për formimin e trupave punuese apo komisioneve parlamentare si dhe rreth miratimit të buxheteve komunale për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.
Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se Kuvendi i Kosovës e ka në rregulloren e saj themelimin e Komisioneve parlamentare të cilat siç tha ai janë parakusht për fillimin e aktiviteteve të punës legjislative.
Ai beson që pas kësaj mbledhje të Kryesisë, duhet t’i paraprijë një seancë tjetër për miratim të ligjit për buxhetin 2026.
Baraliu: Kuvendi duhet të mbajë seancë për votim të ligjit për buxhetin
“Është e paraparë me rregullore të punës të Kuvendit që të themelohet komisionet parlamentare themelore të përhershme dhe ato funksionale, prandaj është parakusht kryesor për fillimin e aktiviteteve të punës legjislative dhe të tjera në Kuvend formimi i grupeve parlamentare dhe i Komisioneve Parlamentare, po e bëjnë një punë që është rutinore dhe parësore dhe e rëndësishme e Kuvendit. Mendoj se kjo duhet t’i paraprijë një seance tjetër që duhet të mbahet domosdo, nëse nuk arrijnë të formojnë qeverinë të shkohet në zgjedhje, miratimi i ligjit të buxhetit të Kosovës për 2026”, tha ai.
Profesori universitar, Baraliu theksoi se edhe qeveria në detyrë mund ta propozojë në Kuvend miratimin e ligjit të buxhetit, e pastaj është në dorën e deputetëve nëse do të votojnë apo jo këtë ligj.
Baraliu: Qeveria propozon ligjin për buxhetin, Kuvendi i takon nëse do ta miratojë
“Qeveria në detyrë është qeveri ajo po e propozon në dorën e Kuvendit është ta miratojë ose mos ta miratojë. Ajo mund të mos e miratojë, por nëse e miraton vlefshmëria është e plotë e atij vendimi për miratim e ligjit për buxhetin e vitit 2026… po patjetër, sepse nuk ka të bëjë qeveria e re me komisionet e Kuvendit”, tha ai.
Por, për dallim nga Baraliu, Eugen Cakolli nga KDI thotë se në rrethanat aktuale është e papranueshme që qeveria në detyrë të sjellë në Kuvend ligjin për buxhet. Ai thotë se paraprakisht nevojitet formimi i qeverisë së re, e cila do ta sillte për miratim ligjin në Kuvend.
Cakolli: Buxheti mund të keqpërdoret për qëllime elektorale
“Ndonëse në Ligjin për Qeverinë ekziston një dispozitë që e lejon të paktën në aspektin parimor që qeveria në detyrë t’ia propozojë Kuvendit Ligjin për Buxhet, unë besoj që kjo çështje e ndryshme nga situata e tanishme. Në radhë të parë qeveria aktuale, e cila nuk ka asnjë raport me Kuvendin me legjislaturën e tanishme nuk mund të propozojë një ligj për buxhetin për shkak se në radhë të parë kjo supozon se Kuvendi i ka të themeluara të gjitha trupat e tij të brendshme përfshirë Komisionet dhe të tjerat, së dyti kjo supozon që Kuvendi veçse ka zgjedhur një qeveri të re, e në fakt në situatën e tanishme çështja e parë e patejkalueshme që duhet të ketë vendimmarrje pozitive të Kuvendit para se të vendoset diçka tjetër është zgjedhja e qeverisë… Në rrethanat që jemi besoj që është tërësisht e papranueshme dhe as që do të duhej të diskutohej mundësia që në Kuvend të sillej një buxhet, pavarësisht që mund të jetë arsyetim çështja e pagave, stabiliteti fiskal. Kjo mund të keqpërdorej për qëllime elektorale, andaj Kuvendi nuk do të duhej të votonte asnjë projektligj, i cili vjen nga një qeveri e cila është zgjedhur dhe përkon me një legjislaturë paraprake”, tha ai.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të dielën nuk arriti t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet.
© SYRI.net