Eugen Cakolli i IKD-së ka deklaruar se aktualisht nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme të Kuvendit pas dështimit të votimit për qeverinë.
Ai theksoi se fillimisht Presidentja duhet të zhvillojë konsultime me partitë dhe të vendosë për mandatarin e dytë, para çdo mbledhjeje parlamentare.
Sipas tij, nënshkrimet e deputetëve nuk kanë efekt juridik jashtë këtij procesi dhe Kuvendi nuk mund të shqyrtojë as Ligjin për Buxhetin pa u zgjedhur qeveria e re.
Postimi i plotë:
Jo, nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme tani për tani!
Pas dështimit të pardjeshëm të votimit për qeverinë, së pari duhet të zhvillohen konsultimet nga Presidentja me partitë dhe të vendoset se kujt dhe NËSE do të jepet mandatari i dytë. Derisa të përfundojë kjo procedurë dhe të ketë dekret për mandatarin, Kuvendi nuk ka bazë dhe rrethana për t’u mbledhur për çfarëdo votimi, përfshirë atë të qeverisë.
Nënshkrimet që po përmenden nuk kanë efekt juridik jashtë procesit të konsultimeve. Ato mund të shërbejnë vetëm si provë gjatë bisedimeve me Presidenten, në kuadër të “kritereve mbizotëruese”. Për më tepër, mes tjerash (por jo vetëm) për të dëshmuar shumicën nevojiten 61 nënshkrime të verifikuara, jo vetëm 40 sosh për thirrje të seancës.
Ngjashëm, seanca e jashtëzakonshme nuk mund të thirret as për ligjin për buxhetin. Detyra e parë dhe e patejkalueshme e Kuvendit pas zgjedhjeve është zgjedhja e Qeverisë, jo miratimi i ligjeve. Mbi të gjitha, vetëm një Qeveri e kësaj legjislature mund të propozojë projektligj për buxhetin.
© SYRI.net