Paralajmëron eksperti: Ky është rreziku nëse Kosova shkon në zgjedhje të reja

Paralajmëron eksperti: Ky është rreziku nëse Kosova shkon në zgjedhje të reja

15:59, 28/10/2025

Mosvotimi i Qeverisë Kurti 3 ka hapur një kapitull të ri të tensioneve politike në Kosovë, duke nxjerrë në pah mungesën e stabilitetit institucional dhe etjen e partive për pushtet. 

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Dr. Mirsad Voca, e ka cilësuar këtë situatë si një fazë të re të krizës politike, e cila po e vë në provë demokracinë e vendit.

“Mosvotimi i Qeverisë tregon një fazë të re të krizës politike në Kosovë që ka të bëjë me një krizë që nuk buron nga përplasja e ideve, por nga etja për pushtet dhe mungesa e kulturës institucionale,” ka deklaruar Voca për “Bota sot”.

Sipas tij, në vend të ndërtimit të stabilitetit, vendi po përballet me logjikën e përçarjes dhe bllokimit politik.

“Është shqetësuese të shihet se në vend të ndërtimit të stabilitetit, po përballemi me një logjikë të përçarjes dhe të bllokimit politik, ku interesi i ngushtë partiak mbizotëron mbi përgjegjësinë shtetërore,” ka theksuar ai.

Voca e ka quajtur të papranueshme mundësinë që Kosova të shkojë në tri palë zgjedhje brenda një viti.

“Është e papranueshme që Kosova të rrezikojë të shkojë në tre palë zgjedhje brenda një viti. Kjo nuk është shenjë e forcimit të demokracisë, por dëshmi e brishtësisë së saj. Humbjet nuk do të ishin vetëm financiare, por do të prekeshin themelet e besimit qytetar dhe të kredibilitetit ndërkombëtar që është ndërtuar me vështirësi gjatë këtyre viteve,” ka paralajmëruar Voca.

Duke folur për pasojat politike të mosvotimit, Voca ka theksuar se vendi po hyn në një rreth vicioz përçarjesh dhe bllokadash.

“Në vend që të mësojmë nga përvojat e dhimbshme të së kaluarës, po kthehemi në një rreth vicioz përçarjesh dhe bllokadash. Kjo periudhë është një provë e vërtetë për demokracinë kosovare lidhur më atë se a do të fitojë logjika e institucioneve apo ajo e pazareve të fshehta,” ka shtuar ai.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco