Pezullohet nga detyra prokurori Beqë Shala që u arrestua për marrje ryshfeti

Pezullohet nga detyra prokurori Beqë Shala që u arrestua për marrje ryshfeti

13:58, 28/10/2025

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se pasi është iniciuar hetim penal ndaj prokurorit Beqë Shala, i njëjti është pezulluar nga detyra që ushtronte.

KPK njofton se ky vendim është marrë me qëllim të sigurimit të paanshmërisë, integritetit dhe efikasitetit të procedurës penale hetimore, si dhe për të garantuar zhvillimin e pandikuar të procedurës si dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes të cilit është konfirmuar se është iniciuar hetim penal ndaj të pandehurit Beqë Shala, prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka vendosur unanimisht që të pezullojë përkohësisht nga detyra zyrtare prokurorin Beqë Shala, deri në një vendim tjetër të Këshillit, përkatësisht deri në përfundimin e procedurës penale që është në zhvillim e sipër”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovë ka arrestuar dje prokurorin Bekë Shala,  nën dyshimin për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, dhe me aktvendim të kësaj prokurorie është ndaluar për 48 orë.

“I dyshuari B.Sh., për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë.”, u bë e ditur në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në banesën e të dyshuarit, ku janë sekuestruar prova materiale që do të përdoren gjatë procedurës hetimore.

Prokuroria ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco