Zgjedhorja dhe administrativja, këngë e re, avaz i vjetër, që duhej refuzuar pas raportit të OSBE-ODIHR për 11 majin!

Zgjedhorja dhe administrativja, këngë e re, avaz i vjetër, që duhej refuzuar pas raportit të OSBE-ODIHR për 11 majin!

12:03, 28/10/2025

Dje Kuvendi, konsensualisht, pra gjeti konsensusin për hiçgjë — për dy komisione ad hoc, për zgjedhoren dhe administrativen.

Në një Kuvend që vjen pas 11 majit, të certifikuar tashmë botërisht nga OSBE-ODIHR si një terrorizëm i vërtetë elektoral, konsensuse të tilla janë realisht të pakuptimta.

As edhe një iluzion i vetëm nuk mund të ushqehet se ato komisione mund të prodhojnë diçka — e aq më pak kompromise parimore me Edi Ramën dhe përfaqësuesit e tij.
Komisionet për reformën e “pafund” zgjedhore kanë prodhuar në vazhdimësi zgjedhje, njëra më e neveritshme se tjetra; pra, efekti i tyre real është më pak se zero.

Edhe ndryshimet pozitive në Kodin Zgjedhor, demek të arritura në komisione, janë asgjësuar në praktikë nga Rilindja, duke e dhunuar Kodin pa iu dridhur syri.
Ndërsa iluzionet për Reformën Territoriale janë më pak se asgjë.

Prania e opozitës te Territorialja do të përdoret si alibi nga Rama për të thënë se: “Ja, debatuam për një kohë të gjatë, por opozita është destruktive dhe, meqë votat i kemi, po e votojmë vetë, sepse vendit dhe integrimit i duhet shumë kjo.”
Pra, këngë e re, avaz i vjetër.

Ramës i duhet ta mbushë ambientin propagandistik dhe mediatik me llogje pa fund, që bëhen në këto komisione, duke mbërthyer mediat me orë të tëra, në mënyrë që të hollojë edhe më shumë përqendrimin e goditjes te 11 maji, korrupsioni dhe narkopastrimi i parave të Rilindjes.

Është vërtet naiv ky kompleks i opozitës, e cila merr pjesë në këto farsa të certifikuara kuvendore nga sikleti se ç’do të thonë ndërkombëtarët.
Dhunimi dhe rrëzimi nga Rama, dikur, i konsensusit të 5 qershorit të vitit 2020 — i cili bile u votua në Kuvend dhe u mbështet shumë fort nga ndërkombëtarët, SHBA dhe BE — është prova më e padiskutueshme për këtë.

Ndërkombëtarët, po të duan, kanë shumë ç’të thonë e të bëjnë, sepse edhe informacionin e kanë pa fund: mund të ngrijnë procesin e integrimit, mund të sanksionojnë ekonomikisht Shqipërinë për pastrimin e frikshëm të parave, mund të bllokojnë liberalizimin e vizave, mund të izolojnë politikisht Ramën etj., etj., por nuk e kanë bërë realisht asnjërën prej tyre deri tani.

Ndaj edhe hallet e mëdha të shtëpisë zgjidhen brenda shtëpisë.
Për këtë arsye, pa as më të voglin kompleks, këto komisione duhej të mos votoheshin nga opozita.
Së paku për të ruajtur seriozitetin dhe koherencën e deklarimeve se ajo nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit për shkak të farsës elektorale dhe krimit zgjedhor,
si dhe për të mos i shërbyer tezës së mazhorancës: se “ja, Kuvendi po normalizohet, opozita po merr pjesë në çdo aktivitet kuvendor dhe këtë historinë e 11 majit opozita e kishte si alibi për humbjen e zgjedhjeve.”

Opozita në Kuvend nuk mund të sillet më butë se sa raporti i OSBE-ODIHR, që vendosi bazën politike të demaskimit ndërkombëtar të Ramës, pasi ai raport ndodhet sot në çdo zyrë e kancelari evropiane e amerikane, si dhe në çdo media apo institucion që bën opinion.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco