VV drejt fitoreve në balotazh – parashikimet që mund të lëkundin karriget e Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut

VV drejt fitoreve në balotazh – parashikimet që mund të lëkundin karriget e Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut

22:00, 27/10/2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar listën përfundimtare të votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, i cili do të zhvillohet më 9 nëntor 2025 në 18 komuna të Kosovës.

Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

Sipas KQZ-së, për këtë raund do të shtypen 1.158.015 fletëvotime, ose rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në rundin e parë.
Në zgjedhjet e 12 tetorit, KQZ kishte certifikuar listën me mbi dy milionë persona me të drejtë vote, prej të cilëve 43.993 ishin votues nga jashtë Kosovës.

Krahasuar me rundin e parë, numri i votuesve është rritur me 543 qytetarë, pasi 1.690 persona kanë mbushur 18 vjeç, ndërsa 1.147 janë shënuar si të vdekur që prej atëherë.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, votuan 39.58% e qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit.
Në 20 komuna, kryetarët e rinj dhe asambletë komunale u zgjodhën që në rundin e parë.

Nga komunat me shumicë serbe, vetëm Kllokoti do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve. Në nëntë komunat e tjera, Lista Serbe ka siguruar fitore që në rundin e parë. Kjo parti, e cila përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Analisti politik Viktor Buzhala, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale, ku sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje është bërë parti e fuqishme edhe në zgjedhjet lokale.

Suprizë e zgjedhjeve, sipas Buzhalës, ishte Ramiz Lladrovci, ndërsa humbësja e zgjedhjeve deri më tani është Partia Demokratike e Kosovës.

“VV tashmë është bërë parti e fuqishme edhe në zgjedhjet lokale, duke i fituar direkt tri komuna dhe një që i shpëtoi për një fije floku. U rrit edhe në pjesën dërrmuese të komunave të tjera. Surpriza e zgjedhjeve ishte Ramiz Lladrovci, i cili arriti ta marrë pushtetin në një komunë ku PDK kishte fituar që nga paslufta. Duke e marrë parasysh faktin që rrezikon ta humbasë edhe Mitrovicën, Kaçanikun apo Vushtrrinë, deri tash PDK-në e shoh si humbëse të këtyre zgjedhjeve. Por, balotazhi do t’i zbardhë të gjitha dilemat dhe nuk është pa rreziqe të humbjeve të mëdha edhe LDK. Ndërsa, VV, pos Gjilanit, nuk ka çka humb, por mund të jetë fituesja e madhe e këtyre zgjedhjeve”, thotë Buzhala.

I pyetur rreth pritshmërive të tij për balotazhet, Buzhala, shprehet se disa kandidatët e VV-së do të zgjidhen.

Ai thekson se gara për Prishtinën mbetet totalisht e paqartë.

“Pritjet e mia janë që disa kandidatë të VV-së të zgjidhen, sidomos në Mitrovicë, Fushë Kosovë, Kaçanik dhe Viti pres të kalojnë në VV. Mendoj që do të konfirmohet edhe fitorja në Gjilan. Gara për Prishtinën është totalisht e paqartë. Ndërkohë, po vërehen disa lëvizje interesante në Pejë, ku mund të kemi garë nëse AAK hyn në koalicion me VV. Sa i përket komunave të tjera, nuk pres befasi”, shprehet analisti.

Karrigia e Lumir Abdixhikut në krye të partisë do të luhatet nëse LDK humb Prishtinën dhe Pejën, thotë Buzhala, gjersa shton se edhe karrigia e Memli Krasniqit do të luhatet nëse PDK do të humb Mitrovicën dhe Prizrenin.

“Po, pa diskutim që pres se rezultatet lokale të ndikojnë në konfigurimin e ardhshëm të politikës qendrore . Nëse LDK humb Prishtinën dhe Pejën, karrigia e Lumir Abdixhikut në krye të partisë luhatet dhe mund të shkojë në shtëpi.

Nëse PDK humb Mitrovicën dhe Prizrenin, edhe karrigia e Memli Krasniqit luhatet dhe ai mund të ecë, pasi ka humbur kredi edhe në Drenas. Pra, ne mund të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme me PDK e LDK me kryetarë të tjerë. Ndërkohë, Vjosa Osmani mund t’i bashkohet listës së VV-së. Ngjarje interesante na presin. Por, gjasat reale janë që të krijohen dy boshte politike: në njërën anë VV me aleatë të vegjël, e në tjetrën PDK dhe LDK”, përfundon Buzhala.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco