Samiti i Berlinit në Londër: Mbretëria e Bashkuar konfirmoi rolin kyç në mbështetjen e Kosovës, analistët flasin për ndikim rajonal

Samiti i Berlinit në Londër: Mbretëria e Bashkuar konfirmoi rolin kyç në mbështetjen e Kosovës, analistët flasin për ndikim rajonal

16:38, 25/10/2025

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, i cili këtë herë u mbajt në Londër.

Kurti atje kishte marrë pjesë në pritjen mbretërore (“Royal Reception”) të organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III me rastin e Samitit të Procesit të Berlinit që zhvillohet në Londër. Pritja u organizua në pallatin “St James’s Palace”.

Në këtë pritje të veçantë, përveç Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, morën pjesë edhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pas përfundimit të sesioneve të Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, i mbajtur në Londër, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim dypalësh me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti shprehu vlerësim të lartë për udhëheqjen britanike dhe organizimin e suksesshëm të samitit. Ai theksoi rëndësinë e rolit të Mbretërisë së Bashkuar në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë takimit, të dy kryeministrat biseduan për temat që dominuan agjendën e samitit – sigurinë, rritjen ekonomike dhe migracionin – si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha me interes të përbashkët si:

energjia,

infrastruktura,

edukimi,

mbrojtja dhe siguria.

Ndihma nga Britania e Madhe dhe rëndësia e takimit

Analisti politik Gani Qarri, thotë se takimi i Kurtit me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, do të reflektojë edhe në dinamikat rajonale të Ballkanit sa i takon rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së.

Sipas tij, Britania e Madhe mund të ndihmojë shumë, përfshirë raportet Kosovë- Serbi.

Kryeministri Kurti veçoi fushën e mbrojtjes si prioritet, duke theksuar se Kosova po vazhdon të investojë në këtë drejtim. Ai falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për vendimin që Forcat e Armatosura britanike të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) për të paktën tre vjet të tjerë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përveç pritjes nga mbreti Charles III në Londër, ku theksoi marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës e Britanisë së Madhe, ai u takua edhe me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, z.Keir Starmer të cilit i shprehi falënderimet më të ngrohta në emër të shtetit të Kosovës, ndërsa pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, në Londër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit në takim edhe nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, me ç`rast vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e Mbretërsisë së Bashkuar, në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, dhe shprehu mirënjohjen më të thellë Mbretërisë së Bashkuar, si shtet mik dhe partner shumë i rëndësishëm për Kosovën, duke theksuar se Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç edhe për mbrojtjen efektive nga lufta hibride e Rusisë”.

“Veçanërisht takimi me kryeministrin Britanik ishte një takim shumë i frytshëm që sinjalizoi dhe dha një rikonfirmim edhe më të fuqishëm të mbështetjes britanike, si mike shumë e sinqertë, për integrimin euroatlantik të Kosovës, të cilit kryeministri në detyrë z. Albin Kurti iu falënderua se ata na kanë ndihmuar shumë, ndihmë që si vend dhe popull i vogël, nuk do ta harrojmë kurrë dhe në shenjë mirënjohje, është obligim i joni që tu ndihmojmë edhe ne juve aty ku keni nevojë dhe aq sa mundemi e arrijmë ne me mundësitë dhe kapacitetet tona. Ky takim do të reflektojë edhe në dinamikat rajonale të Ballkanit sa i takon rrugëtimit të Kosovës drejtë BE-së, ani pse Mbretëria e Bashkuar nuk është anëtare e BE-së, marrëdhëniet e ngushta të saj me vendet më të fuqishme të BE-së, si Gjermania e Franca, por edhe Italia, dëshmojnë se megjithatë, Britania e Madhe mund të ndihmojë shumë, përfshirë raportet Kosovë–Serbi, edhe pse ndikim vendimtar në këto raporte, që kur ka nisur agresioni ushtarak rus në Ukrainë, ka ndikuar shumë edhe në qasjen e Perëndimit ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, andaj siç edhe po shihet, aktualisht nuk fokusohet aq energji dhe as investohen përpjekje të mëdha të Perëndimit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, qëndrim që mendohet se kryesisht do të varet edhe nga epilogu i zhvillimeve, gjegjësisht mënyra e përfundimit të luftës në Ukrainë”, deklaron Qarri.

Në anën tjetër, nga opozita nuk ka pasur ndonjë reagim rreth këtyre takimeve të Kurtit, theksojmë këtu se ata shpesh herë deklaronin për një kryeministër që i ka larguar ndërkombëtarë, ndërsa sipas Qarrit, opozita vendos interesat grupore e partiake mbi interesat e qytetarëve dhe për atë nuk priten deklarata më optimiste.

“Lidhur me opozitën, unë personalisht jam i bindur se një opozitë si kjo e jona, nuk do ta dëshironte askush në vend të vetin, kritikat e tyre, shpesh më duken si kopje të përkthyera nga serbishtja, për të mos thënë edhe të servuara direkt nga ashtuquajtura “listë serbe” me obligim për ti lexuar opozita jonë, para opinionit shqiptar në Kosovë, kundër të cilës asnjë parti opozitare nuk guxon të ekspozohet publikisht, një opozitë që po me këtë dorë të zgjatur të Serbisë në Kosovë, ka ndërtuar qeveritë dhe premtuar me dokumente zyrtare formimin brenda tre muajsh të “zajednicës” një etnike serbe, por që sot, kur Kosova ka më së shumti nevojë për Qeveri legjitime dhe institucione shtetërore, refuzon bashkëpunimin me partinë më të madhe shqiptare, prandaj nga një opozitë që vendos interesat grupore e partiake mbi interesat e qytetarëve dhe ato të shtetit të Kosovës, sipas mendimit tim, nuk mund të priten deklarata më optimiste as të ndryshme nga ato zyrtare të Aleksandër Vuçiqit, veçanërisht për Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës”, shprehet analisti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco