Nesër pritet të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është votimi për formimin e qeverisë së re, mandatin për të cilën e ka marrë lëvizja Vetëvendosje. Në këtë mënyrë, kryetari i VV-së, Albin Kurti, do të ketë mundësinë të prezantojë para deputetëve kabinetin e tij të tretë qeverisës, të njohur tashmë si Qeveria “Kurti 3”.
Megjithatë, situata politike mbetet e paqartë dhe tensionuar, pasi deri më tani nga kampi i Vetëvendosjes nuk ka pasur asnjë sinjal të qartë se partia ka siguruar votat e nevojshme për krijimin e qeverisë. Burime brenda Kuvendit thonë se negociatat me partitë e tjera kanë hyrë në fazë të ndërlikuar, ndërsa opozita po mban qëndrim të prerë kundër një bashkëqeverisjeje me VV-në.
Në një prononcim për Syri.net Kosova / Syri Televizion, deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka deklaruar se pret që Kuvendi të votojë për formimin e qeverisë, por nëse kjo nuk ndodh, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Ne presim që nesër të kemi një qeveri të re dhe një fillim të ri të punës. Në të kundërt, nëse nuk ka vullnet për bashkëpunim institucional, vendi do të shkojë në zgjedhje”, ka thënë Abrashi.
Kujtojmë se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Vetëvendosje doli forca e parë politike, por pa shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e vetme. Deri më tani, as LDK dhe as PDK nuk kanë konfirmuar mbështetje për kabinetin e ri të Kurtit, ndërsa AAK është shprehur kategorikisht kundër çdo bashkëpunimi me VV-në.
Nëse nesër qeveria nuk merr votat e nevojshme, vendi mund të përballet me një krizë të re politike dhe me përsëritje të zgjedhjeve brenda pak muajsh – një skenar që shumë analistë e konsiderojnë të dëmshëm për stabilitetin politik dhe ekonomik të Kosovës.
© SYRI.net