Tërheqja e UNMIK-ut nën presion amerikan, ish-ambasadori holandez paralajmëron rolin strategjik të misionit

Tërheqja e UNMIK-ut nën presion amerikan, ish-ambasadori holandez paralajmëron rolin strategjik të misionit

21:45, 24/10/2025

SHBA-ja kritikoi ashpër Misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK), duke i kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të fillojë mbylljen e tij, duke e quajtur misionin “shpenzues kot” dhe jo më relevant.

“Qëllimi përfundimtar i një misioni paqeruajtës duhet të jetë mundësimi i kushteve që eliminojnë nevojën për misionin”, tha ambasadori Jeff Bartos, përfaqësues i SHBA-së për menaxhimin dhe reformën e OKB-së, duke argumentuar se Kosova nuk përballet më me një krizë sigurie që justifikon praninë e UNMIK-ut.

Ai argumentoi se “nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe se UNMIK-u nuk ka më rol në qeverisjen e Kosovës”, duke thënë se “ka ardhur koha për të tërhequr misionin”.

E në lidhje me mundësinë e përfundimit të misionit të UNMIK-ut, në një prononcim për “Bota sot” foli ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

  • Bosch mirëpriti kërkesën e SHBA për mbylljen e UNIMIK.

Megjithatë, ai potencoi se duke parë qasjen e Serbisë, duhet të punohet përmes UNMIK për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Kjo kërkesë është bërë shumë herë dhe më pëlqen, por për sa kohë që Serbia bllokon, në kundërshtim me atë që është rënë dakord, anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, duhet të punohet nëpërmjet UNMIK-ut.

Interpoli është një shembull i mirë”, deklaroi Bosch për “Bota sot”.

Theksojmë se, SHBA-ja i kërkoi Këshillit të Sigurimit të rishikojë mandatin e UNMIK-ut dhe të zhvendosë përgjegjësitë diku tjetër, ndërsa ushtrojnë presion mbi Kosovën dhe fqinjën e saj Serbinë për të ulur tensionet.

“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për të ulur tensionet, për t’u përmbajtur nga masat përshkallëzuese dhe për të ndërtuar paqe dhe stabilitet midis tyre me qëllimin përfundimtar të njohjes së ndërsjellë”, tha Bartos.

Që nga marrja e detyrës në janar, administrata e presidentit Donald Trump ka ndërmarrë hapa që SHBA-ja të tërheqë fondet nga institucionet kryesore ndërkombëtare, veçanërisht OKB-ja dhe agjencitë e saj. Ajo shpesh ka përmendur shpërdorimin dhe abuzimin si arsye, pa ofruar prova.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco