Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për veprën penale shit-blerje të narkotikëve.
Sipas komunikatë, të martën e 21 tetorit të dyshuarit u ndalën me veturën e tipit VW Passat, ku gjatë kontrollit iu gjetën dy paketime me mbishkrimin “777” në të cilën ndodhedhin mbi 2 kg kokainë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh ndaj të pandehurve F.G. dhe B.M., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit, në bashkryerje, kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 dhe nenin 275 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas hetimeve të deritanishme, më datë 21 tetor 2025, rreth orës 23:40, në rrugën “Malush Kosova” në Prishtinë, zyrtarët policorë kanë ndaluar veturën e tipit Volkswagen Passat, të cilën e drejtonte i pandehuri F.G., ndërsa pasagjer ishte i pandehuri B.M.
“Gjatë kontrollit të kryer nga Policia e Kosovës, në veturë janë gjetur dy (2) paketime me mbishkrimin “777”, njëra me peshë 1,143.9 gramë, ndërsa tjetra me peshë 1,135.7 gramë, që përmbanin substancë narkotike të llojit kokainë”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, Prokuroria bën të ditur se gjatë kontrollit janë gjetur edhe para të gatshme mbi 13 mijë euro si dhe telefona, të gjitha këto janë sekuestruar.
“Po ashtu, gjatë kontrollit të çantës së të pandehurit B.M. janë gjetur para të gatshme në shumën prej 12,050 (dymbëdhjetë mijë e pesëdhjetë) euro, si dhe një (1) telefon i markës iPhone 15 Pro Max. Tek i pandehuri F.G. janë gjetur 1,050 (njëmijë e pesëdhjetë) euro dhe një (1) telefon i markës Samsung. Të gjitha këto sende janë sekuestruar nga Policia e Kosovës, si prova materiale në procedurë penale. Prokurori i Shtetit, gjatë seancës së procedurës paraprake, do të kërkojë nga gjyqtari i procedurës paraprake që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
© SYRI.net