‘Strategji e re dhe frikë politike’ Si po e lexojnë analistët sulmin e Ramës ndaj VV-së

‘Strategji e re dhe frikë politike’ Si po e lexojnë analistët sulmin e Ramës ndaj VV-së

18:15, 20/10/2025

Përplasja e re mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë përmasa të ashpra pas deklaratave të fundit në lidhje me protestën që u mbajt në Tiranë.

Vetëvendosje ka akuzuar Ramën se ka qenë “një nga lobuesit kryesorë” për themelimin e Gjykatës Speciale për Kosovën, duke kujtuar madje se “ai kishte ardhur me helikopter në Kosovë për t’i bindur deputetët që të votonin për këtë gjykatë”.

Sipas kësaj partie, përpara se të dalë në protestë, Rama duhet të tregojë “minimumin e pendesës për qëndrimet e tij të gabuara në të kaluarën”.

“Edi Rama duhet të kërkojë falje për qëndrimin që ka mbajtur ndaj Gjykatës Speciale, e cila sot po gjykon çlirimtarët e Kosovës. Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe OKB-së, duhet ta ngrejë këtë çështje në instancat ndërkombëtare, jo vetëm në sheshin ‘Skënderbej’,” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Kurse Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga ana tjetër, ka reaguar me tone ironike, duke i akuzuar përfaqësuesit e Vetëvendosjes se “po përzihen në marrëdhëniet institucionale mes Shqipërisë dhe Kosovës” dhe po e kthejnë debatin në një mjet për “balotazhet komunale” në Kosovë.

“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja. Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që ajo i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës,” tha ndër të tjera Rama.

Analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike thonë se këto sulme janë pjesë e një fushate të Ramës ndaj Albin Kurtit, me qëllim që ta paraqesë këtë të fundit si “anti-UÇK”.

Ndryshimi i papritur i Edi Ramës

Publicisti Milaim Nela ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, lidhur me protestën në Tiranë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Nela e quan këtë nismë “hipokrizi politike” dhe “lojë të rrezikshme me ndjenjat e shqiptarëve”.

 “Se pse kjo thirret në Tiranë këtë vetëm Edi Rama e di! Ata që kanë kujtesë e dinë fort mirë se ky Edi që sot lufton kundër Speciales dhe i digjet shpirti për Hashim Thaçin, nuk la gur pa luajtur deri sa fluturoi me helikopter drejt Prishtinës për t’i bindur ata që sot janë në burg ta miratonin Gjykatën Speciale, sepse ajo ishte në interes të Kosovës!”, – thotë Nela.

Sipas tij, ndryshimi i qëndrimit të Ramës ndaj Thaçit është i pashpjegueshëm.

“Se kah i ka ardhë Edit kjo dashuri për Thaçin këtë vetëm Edi mund ta dijë, sepse Hashimi, nëse nuk është i shantazhuar, nuk besoj se e di. Edi Rama, e kam thënë shumë herë, pas Enver Hoxhës është njeriu që më së shumti e ka dëmtuar Kosovën.”

Nela kujton se Rama ishte ndër ata që bindën Thaçin të miratonte Gjykatën Speciale – një trupë që, sipas tij, “gjykon viktimën e jo xhelatin”.

“Në atë kohë edhe bufi e dinte se nëse miratohej, Thaçi do të ishte i pari që do të plasej brenda, e realisht ashtu ndodhi! Rama vazhdon sot e kësaj dite të punojë në dëm të Kosovës e pro Vuçiçit të Serbisë,” deklaron Nela.

Publicisti thekson se Rama ka ndërruar strategji sipas interesave të tij politike.

“Thaçi i duhej në burg atëherë sepse duke dërguar në Hagë kupolën e UÇK-së i jepte poena politike vëllait të tij në Beograd. Sot i duhet jashtë burgut sepse Vuçiçi nuk po mund ta rrëzojë qeverinë e Albin Kurtit,” thekson Nela.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco