Analisti politik Gurakuç Kuçi ka ngritur pyetje ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian, i cili këtë herë nuk dërgoi mision për monitorimin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë.
Në një shkrim në Facebook, Kuçi ka kujtuar se për zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025, BE-ja kishte angazhuar një mision të posaçëm që kishte vëzhguar procesin zgjedhor, fushatën, ndërhyrjet e jashtme dhe propagandën.
“Sipas raportit përfundimtar të atij misioni, u vërtetuan ndërhyrjet e hapura të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, përdorimi i presionit ekonomik, skemave sociale, mediave të kontrolluara nga Beogradi, Listës Serbe dhe ndërhyrjet e Kishës Ortodokse. Po ashtu, u evidentua kufizimi i qasjes së partive të tjera serbe dhe një sërë parregullsish serioze”, ka shkruar Kuçi.
Ai ka theksuar se ndryshe nga ato zgjedhje, për procesin e fundit lokal BE-ja nuk dërgoi asnjë mision vëzhgues, duke u mjaftuar vetëm me një deklaratë të përgjithshme për media ku përshëndeti zgjedhjet dhe kërkoi hyrjen në fuqi sa më shpejt të kryetarëve të rinj.
“Mbetet e paqartë ky mosinteresim i BE-së kësaj radhe për zgjedhjet në Kosovë. Deri më tani nuk ka një raport zyrtar që mund të konstatojmë diçka në lidhje me këtë pjesë”, ka shkruar Kuçi.
Në fund, ai ka theksuar se “BE-ja, si referencë e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, duhet të jetë reaguese dhe mbështetëse njëjtë edhe për Kosovën si vend aspirant për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”
© SYRI.net