Emisioni Investigativ ‘Plug’ - 15 tetor 2025 në Syri TV
Kaq sa ndoqët janë pasqyra e qartë për këdo institucion drejtësie, që jemi përball shkeljeve të rënda ligjore dhe veprave penale që si dënim kanë burgut. Por gjithçka bëhet për paratë. Në vijim do ju sjellim se si karriera e Adriatik Zotkajt dhe këto manovra në kurriz të taksave të qytetarëve kanë sjellë pasurimin e tij dhe familjarëve.
Në vitin 2003, Adriatik Zotkaj hyn në zyrën e kryetarit të Bashkisë Poliçan. Në deklarimin e parë të pasurisë, ai tregon vetëm pagën e tij dhe të bashkëshortes, mësuese. Katër vite me radhë, dokumentet mbeten bosh: asnjë pronë, asnjë aset, vetëm rroga modeste. Por pas kësaj qetësie të dukshme, do të niste një histori krejt tjetër.
Nga dy paga modeste, sot Zotkaj rezulton një milioner, me biznese, pasuri të pafundme, e mjete luksoze.
Kjo pasuri tërhoqi edhe vëmendjen e institucioneve kontrolluese si ILDKP apo Prokurorisë, por çuditërisht në fund, gjithçka përfundon në mënyrë enigmatike. Në vitin 2015, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, publikoi njoftimin se kërkonte hetimin dhe ndjekjen penale të kryetarit të Bashkisë Poliçan, Adriatik Maliq Zotkaj.
Pas një kontrolli të plotë mbi deklaratat e interesave private, u konstatuan një sërë shkeljesh flagrante.
Sipas këtij kontrolli pasurie, Adriatik Zotkaj, nga një pagamarrës befas ishte bërë pronar I një prej hoteleve më luksoze, “Perla e Tomorit. Sipas ILDKP, Adriatik Zotkaj kishte fshehur pasurinë me numër 12/107, në zonën kadastrale 3019, volumi 12, faqe 122.
Kishte fshehur pasurinë nr. 24/2, në ZK 3666, Volumi 1, faqe 221, të regjistruar në emër të firmës “Perla e Tomorrit”, ku administrator figuron vetë Adriatik Zotkaj.
Një truall prej 5000 metrash katrorë, mbi të cilin ishte ndërtuar një objekt me sipërfaqe 2200 metra katrorë, sipas lejes së ndërtimit të miratuar nga KRRT e Qarkut Berat, me vendimin nr. 5/18, datë 25 korrik 2008. Financues i ndërtimit ishte vetë subjekti, përmes kompanisë Perla e Tomorrit.
Zotkaj kishte fshehur gjithashtu pasurinë me numër 12/98 në ZK 3019. Kishte fshehur pasurinë me numër 197/2 në ZK 3666, volumi 1, faqe 228, me sipërfaqe 1100 metra katrorë, të regjistruar sipas kontratës së shit-blerjes nrsë datës 5 shtator 2012.
Por jo vetëm pronat, pasurimi i Adriatik Zotkajt vinte totalisht nga ilegaliteti. Nga hetimi I ILDKP-së rezultoi se ka fshehur automjete luksoze private por edhe automjete të rënda pune.
Një Audi A6, vit prodhimi 2005, me targa AA 550 IB. Një Nissan Patrol, vit prodhimi 2000, me targa AA 540 FC, i regjistruar në emër të të birit, Maliq Zotkaj si dhe një eskavator me vlerë 50 mijë euro i blerë në janar të 2011-ës.
Hetimi zbuloi mungesë burimesh të ligjshme financiare për shlyerjen e menjëhershme të kredisë pranë Raiffeisen Bank, më 19 shkurt 2009.
Mungesë burimesh financiare për shlyerjen e kredive të tjera në vlerën 50 mijë euro në vitin 2008, 75 mijë euro në vitin 2011 dhe 30 mijë euro në vitin 2012. Me të ardhurat e deklaruara, shlyerja ishte e pamundur.
Sipas ILDKP-së Adriatik Zotkaj kishte fshehur të ardhurat e përfituara nga një kontratë qiraje me kompaninë Vodafone Albania. Në këtë kontratë, Adriatik dhe Mirela Zotkaj shfaqen si pronarë të një sipërfaqeje prej 1100 metrash katrorë, ku u ngrit stacioni radiofonik “Site 643A Tomorrica”.
Të ardhurat e qirasë derdheshin në një llogari të Union Bank, llogari e fshehur nga deklaratat. Ai kishte bërë deklarim të rremë kur tha se ishte larguar si administrator i shoqërisë ABG shpk, ndërkohë që vijonte rolin aktiv: lidhte kontrata për blerje asetesh dhe merrte kredi në bankat Union, Société Générale, Alpha Bank. Ai nuk kishte deklaruar shitjen e 65 për qind të aksioneve të shoqërisë ABG në vitet 2008–2009 dhe vijonte të zotëronte 35 për qind të aksioneve, në kundërshtim me ligjin, i cili ndalon kryebashkiakët të kenë aksione në kompani që ushtrojnë aktivitet në territorin që ata administrojnë.
Harresa e deklarimit të pasurisë nga Adriatik Zotkaj duket ose si një problem kronik, ose një shkelje flagrante e ligjit. Nga hetimi rezultoi se Zotkaj kishte harruar të deklaronte edhe kredi prej 1 milionë eurosh të përfituar në Société Générale Albania, dhe çuditërisht, këto para nuk kishin një deklarim të ligjshëm.
Dhe për të gjitha këto mosdeklarime, harresa, fshehje pasurie dhe shkelje të rënda ligjore, deri në dyshime për korrupsion e pastrim parash, ILDKPKI bëri kallëzim në Prokurorinë e Përgjithshme, kallëzim i cili do të ndalemi në fund të këtij emisioni.
© SYRI.net