Ish-deputeti Danush Ademi nga Unioni Republikan i Ashkalinjëve në Ferizaj, njëherësh kandidati për asamble komunale, u raportua se është sulmuar në ditën e zgjedhjes.
Policia ka njoftuar se Ademi është sulmuar pas një mosmarrëveshjeje verbale. Rasti ka ndodhur në Dubravë të Ferizajt.
“Me datën 12.10.2025, rreth orës 16:30 Fshati Dubravë, Komuna e Ferizajt Policia në Ferizaj ka shoqëruar në stacionin policor personin e dyshuar, mashkull kosovar, pasi i njëjti dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje verbale, ka sulmuar personin tjetër, ankuesin – mashkull kosovar”, ka thënë për Reporteri.net, zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Kanun Veseli.
Me urdhër të prokurorit të rastit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
© SYRI.net