Leonardo Landi, ish-oficer policie në Itali, aktualisht zyrtar i Europolit, ka zbuluar për gazetën britanike ‘Times’ se si po operon mafia shqiptare me platformat e enkriptuara.
Europol ka qenë në qendër të zbulimit të disa rrjeteve të telefonisë së enkriptuar që përdoreshin nga trafikantët — më i njohuri prej tyre, Sky ECC, kishte 171.000 përdorues kur u mbyll në vitin 2021.
Falë miliona mesazheve të kapura dhe të analizuara, arrestimet vazhdojnë ende sot — përfshirë 10 kontrabandistë të dyshuar të kapur në Shqipëri në gusht, që dyshohej se po fitonin 40 milionë dollarë nga dërgesat drejt Hamburgut dhe Roterdamit.
Disa nga përdoruesit e Sky ECC u strehuan në Emiratet e Bashkuara Arabe kur kuptuan se bisedat e tyre nuk ishin më private, tha Landi.
Rrjeti i fundit i madh i enkriptuar që u zbulua ishte Matrix, i cili u dha policive më shumë se 2 milionë mesazhe vitin e kaluar.
Që atëherë, kriminelët janë bërë më të kujdesshëm.
“Shqiptarët, mafia italiane ’Ndrangheta dhe grupet e Amerikës së Jugut tani e kontrollojnë me kujdes se kush merr telefona të enkriptuar dhe përdorin disa platforma njëherësh, secilën me pak përdorues,” tha Landi.
“Nëse një trafikant i dërgon mesazh kolegut përmes një platforme, tjetri i përgjigjet me një telefon tjetër në një tjetër platformë. Edhe nëse ne po monitorojmë njërën prej tyre, shohim vetëm gjysmën e bisedës. Nëse tre persona flasin, përdorin tre platforma. Me Matrix shikonim vrasje drejtpërdrejt — tani jemi më shumë në errësirë,” shtoi ai.
Sipas Landit, sot janë në përdorim rreth 10 sisteme të ndryshme enkriptimi, shpesh të krijuara nga ekspertë holandezë.
© SYRI.net