Juristja e medias, Flutura Kusari i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti pasi ky i fundit kërkoi nga organet e drejtësisë që të hetojnë Exit Poll-et për Mitrovicën. Kusari ka thënë se procesi zgjedhur veç pati përfunduar kur janë publikuar Exit Poll-et.
Madje ajo i bëri thirrje organeve të drejtësisë të qëndrojnë sa më larg idesë së hetimit të raportimeve që bëjnë kompanitë që realizojnë Exit Poll-e.
“Kryeministri Kurti i paska ftuar organet e drejtësisë që të hetojnë raportimet (exit polls por indirekt i ka përfshirë edhe mediat) për rezulatet e zgjedhjeve dhe paska vendosë që ka qenë ndërhyrje në procesin zgjedhor. Kjo është e pasaktë. Procesi zgjedhor ka qenë i përfunduar kur janë publiku exit polls. Unë i ftoj organet e ndjekjes me qëndru sa më larg, sa më larg, idesë së hetimit të raportimeve dhe kompanive që bëjnë exit polls. Poashtu, ma merr mendja që KPM-ja është duke i fërku duart dhe duke e shiku mundësinë me u përzi meqë Kurti ka bërë thirrje. Edhe organet e ndjekjes edhe KPM-ja duhet të qëndrojnë larg kësaj teme dhe asnjë hetim nuk duhet të hapet”, shkroi Kusari në Facebook.
“Exit pollat ia kanë huqë por ato duhet me pagu me kredibilitet ashtu siç duhet me pagu me kredibilitet moderatorët e emisioneve që na kanë ofru informacione të pasakta, sidomos nëse i angazhojnë përsëri të njëjtat kompani. Mendësia e Albin Kurtit, VV-së dhe e njerëzve rreth tij që me e përdorë ligjin penal me i ndëshku këdo që thotë diçka që atij nuk i pëlqen është e frikshme por sigurisht që do të jetë e pasuksesshme”, shkroi ajo.
Sipas Kurtit jo vetëm që Exit Poll-et për Mitrovicën ishin huqje, por ndërhyrje flagrance ende pa u mbyllur vendvotimet.
© SYRI.net