Hartë e larmishme politike – LVV prin për kryetarë, LDK për kuvende komunale

Hartë e larmishme politike – LVV prin për kryetarë, LDK për kuvende komunale

10:23, 13/10/2025

Zgjedhjet lokale të këtij viti dhanë një pamje të larmishme dhe dinamike të hartës politike të Kosovës, me ndryshime të dukshme krahasuar me ciklin paraprak. Sipas rezultateve të deritanishme, pritet që balotazhi të jetë edhe më interesant.

Në nivel vendi, sipas përmbledhjes së Eugen Cakollit nga KDI, nëse mblidhen votat për kandidatët për kryetarë komunash, LVV prin me rreth 27%, ndërsa për kuvendet komunale kryeson LDK me rreth 24%.

  • Lëvizja Vetëvendosje (LVV)

LVV ka fituar pa balotazh në 3 komuna (Kamenicë, Podujevë, Shtime); është e para në 2 komuna që shkojnë në balotazh (Gjilan, Fushë Kosovë); dhe e dyta në 10 komuna (Gjakovë, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti, Vushtrri).

Krahasuar me vitin 2021, LVV ka shënuar përparim të dukshëm: atëherë nuk kishte asnjë fitore pa balotazh, ndërsa tani ka 3. Megjithatë, numri i komunave ku del e para ka rënë nga 5 në 2, ndërsa ato ku renditet e dyta janë rritur nga 8 në 10.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

LDK ka fituar pa balotazh në 2 komuna (Istog, Lipjan); është e para në 6 komuna që shkojnë në balotazh (Dragash, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Viti, Junik); dhe e dyta në 3 komuna (Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë).

LDK ruan pothuajse të njëjtin nivel si në vitin 2021: fitoret pa balotazh mbeten 2, por rritet numri i komunave ku del e para nga 5 në 6. Renditjet e dyta bien lehtë, nga 4 në 3.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

PDK ka fituar pa balotazh në 3 komuna (Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Vushtrri); dhe e dyta në 2 komuna (Dragash, Klinë).

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, PDK ka pësuar rënie të lehtë: fitoret pa balotazh bien nga 4 në 3, ato ku del e para nga 6 në 4, ndërsa renditjet e dyta nga 4 në 2.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

AAK ka fituar pa balotazh në 1 komunë (Deçan); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Gjakovë, Klinë, Rahovec, Suharekë); dhe e dyta në 1 komunë (Junik).

AAK mbetet në nivel të ngjashëm me vitin 2021: fitoret pa balotazh bien nga 2 në 1, ndërsa komunat ku del e para mbeten 4. Edhe renditjet e dyta janë të njëjta – në një komunë.

Sipas Cakollit, këto rezultate tregojnë një shpërndarje më të balancuar të mbështetjes politike, me shumë gara të ngushta që pritet të përcaktohen në balotazhin e ardhshëm.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco