Policia e Kosovës ka njoftuar se plani operacional për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor është realizuar me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i planit ka qenë ofrimi i sigurisë, mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.
Falë angazhimit të zyrtarëve policorë, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit me institucionet e drejtësisë, procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore që do të cenonin të drejtën e votës.
Policia bën të ditur se një ndër qëllimet e planit ka qenë inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit. Në këtë kuadër, janë iniciuar dy raste për “Cenim të fshehtësisë së votimit”, një në fshatin Bare të Mitrovicës së Jugut dhe tjetri në Kllokot të Drejtorisë Rajonale të Gjilanit.
Po ashtu, janë evidentuar njëmbëdhjetë raste me dyshime për “fotografim të votës”, të cilat, me autorizim të prokurorëve kompetent, janë trajtuar si shënime zyrtare. Personat e shoqëruar për këto raste janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
Sa i përket incidentit me armë zjarri në Komoran, ku ishte dëmtuar një veturë dhe ishin shoqëruar dy persona, Policia ka theksuar se rasti nuk ka lidhje me procesin zgjedhor. Hetimet për këtë ngjarje po vazhdojnë me autorizim të Prokurorisë.
Gjatë ditës së zgjedhjeve janë trajtuar edhe rreth dhjetë informacione të tjera që ndërlidheshin me procesin, por pa elemente që të cilësoheshin si vepra penale.
Policia e Kosovës ka vlerësuar se plani policor është zbatuar me sukses, falë profesionalizmit të zyrtarëve policorë, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe kulturës së lartë qytetare. Institucioni ka falënderuar qytetarët, mediat dhe të gjitha institucionet për bashkëpunimin dhe korrektësinë gjatë gjithë procesit zgjedhor.
© SYRI.net