Sot vazhdon seanca e 49-të me radhë në tentim për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Në seancën e 47-të, propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Deharit, nuk arriti shumicën për formimin e komisionit për votimin e fshehtë, insistim ky nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Seanca për konstituim të Kuvendit do të mbahet me fillim nga ora 11:00
Nga partia e Fatmir Limajt së fundmi kanë paralajmëruar se mund të arrihet një marrëveshje me Vetëvendosjen, por që nuk ka shenja që kjo mund të ndodh në seancën e sotme.
Është deputetja e NISMA-s, Xhevahire Izmaku, e cila dje deklaroi se Limaj dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet të arrijnë një marrëveshje në fundjavë.
Ajo mohoi se Nisma ka hequr dorë nga ambicia për postin e kryeparlamentarit, një kërkesë e Nismës që mbajti peng tash e sa kohë një bashkëpunim të mundshëm me partinë e Kurtit, e cila refuzoi ta japë këtë pozitë që e ka rezervuar për Albulena Haxhiun.
“Jo, absolutisht, ne jemi në atë diagonale të bisedimeve me çështjen që zoti Limaj të jetë në krye të Kuvendit dhe të presim në fundjavë që të ketë një epilog pozitiv të bisedimeve”, tha Izmaku.
Po ashtu, parlamentarët sot do të mblidhen derisa afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për të përfunduar konstituimin po afrohet.
Kushtetuesja përmes një aktgjykimi tha se deputetët janë të obliguar të konstituojnë Kuvendin deri më 26 korrik megjithëse nuk sqaroi çfarë ndodh nëse kjo nuk arrihet.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet edhe në fundjavë.
“Ne jemi duke e përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse edhe gjatë fundjavës nuk ka marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës, por nuk e dimë sa kohë do t’i duhet asaj për t’u përgjigjur”, ka thënë Osmani.
© SYRI.net