Dhjetra vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë. Flakët vijojnë të jenë aktivë në disa qarqe të vendit, por sipas Institutit të Gjeoshkencave, këtë të enjte, për shkak të temperaturave të larta, mund të ketë një numër më të madh hapësirash të përfshira nga flakët. Aktualisht, situata më problematike paraqitet në dy fshatra të Bashkisë së Finiqit, ku zjarri ka djegur qindra hektarë me shkurre, por edhe drunj frutorë.
Flakët e zjarrit vijojnë të shkrumbojnë hektarë të tërë sipërfaqesh pyjore. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar rreth 29 vatra zjarri, ndërsa dy prej tyre vijojnë të jenë aktivë edhe këtë të enjte. Nga raportimet e gazetarëve në terren rezulton se flakët po përpijnë qindra rrënjë ullinjsh në zonën e Sarandës.
Në Bashkinë e Finiqit, në fshatrat Melçan dhe Grazhdan, vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive, ku për shkak të terrenit të vështirë forcat zjarrfikëse nuk arrijnë të shkojnë për të shuar flakët.
Gjatë 24 orëve të fundit ka pasur zjarre edhe në qarkun e Vlorës, në Selenicë; në qarkun e Fierit, në Divjakë; gjithashtu, vatra zjarri të cilat janë vënë nën kontroll ka pasur edhe në qarkun e Shkodrës, në Malësinë e Madhe, por edhe në disa fshatra të Lezhës.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, këtë të enjte pritet nivel rreziku “I LARTË” për zjarret në pothuajse të gjitha qarqet. Kjo për shkak të temperaturave të larta, të cilat mund të jenë shkaktare për fillimin e zjarreve nga mbetje xhami apo edhe mbetje të tjera, që mund të reflektojnë diellin në sipërfaqet me barishte, duke ndihmuar në përhapjen e flakëve.
© SYRI.net