Kurti: Kriza politike po zgjatet nga keqinterpretimi i Kushtetueses

Kurti: Kriza politike po zgjatet nga keqinterpretimi i Kushtetueses

21:24, 02/07/2025

Kurti: Vetëm ne kemi lëvizur drejt zgjidhjes – leximet e gabuara të aktgjykimit po e mbajnë Kosovën në krizë


Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi ndodhet ende në një krizë politike për shkak të moskonstituimit të Kuvendit që nga 19 prilli, ndërsa ka kritikuar opozitën për, siç tha, “interpretime të gabuara” të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kurti tha në Teve1 se takimi me Presidenten Vjosa Osmani ishte i hapur dhe përqendruar në gjetjen e rrugëdaljes nga bllokada.

“Takimi me Vjosën ka shkuar mirë. Diskutuam të gjitha temat që lidhen me moskonstituimin e Kuvendit që nga 19 prilli. Është një konstatim i përbashkët se nuk kemi më shumë se tre javë kohë – më herët është më mirë, më vonë nuk bën. Këtë e përcakton edhe aktgjykimi – deri në fund të korrikut gjithçka duhet të përfundojë”, u shpreh ai.

Kurti tha se Vetëvendosje është e vetmja parti që ka ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e ngërçit.

“Të nesërmen e takimeve me presidenten, Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu kanë zhvilluar kontakte me përfaqësues të partive tjera. Në takimin e fundit kam propozuar të arrijmë një marrëveshje për përbërjen e Kryesisë së Kuvendit. Nëse s’e doni votimin e fshehtë, dërgoni përfaqësuesit dhe kalojmë në votë të hapur”, tha Kurti.

Megjithëse shprehu njëfarë optimizmi, Kurti u tregua i rezervuar për mundësinë e një marrëveshjeje, duke theksuar se pengesë mbeten leximet e ndryshme të aktgjykimit.

“Kam shpresë, por jo shumë, për shkak të leximeve të gabuara që po i bëhen aktgjykimit nga partitë e tjera. Këto leximet e rreme po e mbajnë vendin në krizë”, përfundoi Kurti.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco