Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur sot një cikël të ri konsultimesh me liderët e partive politike për çështjen e konstituimit të Kuvendit, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25.
Në takime të ndara, Osmani ka pritur kryetarin e LVV-së dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si dhe liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së – Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, krerët e partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre për procesin e konstituimit dhe për interpretimin e aktgjykimit të Kushtetueses.
Osmani u ka bërë thirrje atyre që të gjejnë pajtueshmëri për formimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata, duke vepruar në frymën e bashkëpunimit, mirëbesimit dhe në interes të qytetarëve dhe shtetit.
Ajo ka ritheksuar se moskonstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit dëmton demokracinë, interesat shtetërore dhe besimin qytetar në institucione.
Presidentja do të vazhdojë konsultimet edhe me partitë tjera të përfaqësuara në Kuvend në ditët në vijim, në përmbushje të rolit të saj kushtetues si garantuese e funksionimit demokratik dhe përfaqësuese e unitetit të popullit.
© SYRI.net