Evropa po përballet me një valë të rrezikshme të të nxehtit, me temperatura që kanë kapërcyer kufirin e 40°C në disa vende, duke ngritur alarmin për pasoja serioze shëndetësore dhe rrezik të shtuar zjarresh. Autoritetet në mbarë kontinentin kanë bërë thirrje për masa të menjëhershme mbrojtëse, veçanërisht në rajonet e Mesdheut ku rreziku është më i lartë.
Në Itali, 17 qytete të mëdha përfshirë Romën, Milanon dhe Napolin janë vendosur nën alarmin më të lartë për të nxehtin ekstrem. Rajone si Lazio, Toskana, Kalabria, Puglia dhe Umbria po shqyrtojnë ndalimin e aktiviteteve të punës gjatë orëve të pikut të temperaturave për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve.
Në Spanjë, agjencia kombëtare e motit AEMET ka paralajmëruar se qershori mund të jetë muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Temperatura në Sevilje dhe qytete të tjera jugore kanë arritur në 42°C, ndërsa autoritetet kanë këshilluar shmangien e aktivitetit fizik dhe qëndrimin në ambiente të freskëta, sidomos për të moshuarit dhe fëmijët.
Valë të nxehti janë regjistruar gjithashtu në Greqi dhe Portugali, ku qytetarët dhe turistët po përpiqen të gjejnë strehë nga temperaturat përvëluese. Ekspertët klimatikë paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe më ekstreme për shkak të ndryshimeve klimatike, duke e rritur ndjeshëm rrezikun për shëndetin publik dhe mjedisin.
© SYRI.net