SYRI TV/ 16 këngë nga thesari popullor shqiptar në TKOB, tingujt gërshetim mes traditës dhe klasikes

19:35, 28/06/2025

Sopranoja Nina Muho sjell më 30 qershor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, një udhëtim intim muzikor me 16 këngë qytetare shqiptare, të interpretuara për herë të parë me kuartet harkor.

Koncerti synon të risjellë tabanin e shpirtit popullor me elegancë klasike, duke përqafuar rrënjët e identitetit tonë muzikor.

Një mbrëmje që premton të jetë si një fije drite e ngrohtë mbi kujtesën muzikore të vendit. Më 30 qershor, ora 20:00, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit çel siparin e një koncerti të veçantë: “TABAN” – recital i sopranos së njohur Nina Muho.

Në një udhëtim të ndjeshëm mes melodive të vjetra qytetare, Muho sjell për herë të parë në skenë 16 këngë nga thesari popullor shqiptar, të interpretuara në një format krejt intim me kuartet harkor. Nga Shqipëria e Mesme, në Jug e deri në Kosovë, tingujt marrin jetë në një gërshetim mjeshtëror mes traditës dhe finesës klasike.

Recitali “TABAN” është një vepër që ruan ndjeshmërinë e origjinës, por edhe e ngre atë në një shkallë të re estetike. Për këtë kujdes janë përkujdesur Reinald Foçi, i cili ka shkruar partiturat për kuartetin dhe ka ndihmuar në përzgjedhjen e repertorit, dhe Gridi Kraja, që së bashku kanë kuruar një strukturë artistike që respekton identitetin, por synon elegancën.

“TABAN” vjen si një rrëfim me zë e violinë, ku secila këngë rikthen një copëz identiteti të heshtur, të harruar, por të pashuar kurrë. Nina Muho premton t’i dhurojë publikut emocione përmes muzikës së mirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco