Kurti takon krerët e partive politike në kërkim të konsensusit për konstituim të Kuvendit

Kurti takon krerët e partive politike në kërkim të konsensusit për konstituim të Kuvendit

16:26, 28/06/2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) priti sot në takim krerë të subjekteve tjera politike, në kërkim të konsensusit për konstituim të Kuvendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Në takim marrin pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe ai i Nismës Social-Demokrate, Fatmir Limaj, anëtarë tjerë të këtyre partive politike, si dhe të disa partive nga pakicat.

Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje – si fituese e më së shumti votave në zgjedhje – për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.

Takimi i sotëm zhvillohet pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Deputët e legjislaturës së re i kanë mbajtur 38 seanca prej 15 prillit, në tentim për të konstituuar Kuvendin, por nuk kanë pasur sukses. Për partitë që në kuvendin e kaluar ishin në opozitë, e nominuara për kryeparlamentare është figurë përcarëse, ndërsa ndryshimi i mënyrës së votimit është jokushtetues, shkruan REL. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco