Në fjalën e mbajtur në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ngriti zërin për atë që ai e konsideron një mungesë të thellë dinjiteti shtetëror dhe kombëtar ndaj figurës së shquar të Ismail Kadaresë.
Duke përmendur vlerësimet më të larta ndërkombëtare që ka marrë shkrimtari, nga çmime letrare prestigjioze te dekoratat më të larta, përfshirë atë nga presidenti francez Emmanuel Macron, Gjekmarkaj kritikoi ashpër kreun e qeverisë Edi Rama, për dështimin në përmbushjen e një premtimi publik.
Agron Gjekmarkaj: Kadare ka fituar disa nga çmimet më të larta ndërkombëtare për letërsinë dhe një pafundësi dekoratash. Me vlerësimet për të, po përmend atë të Macron. Ismail Kadare ishte zëri Evropian që i kujtoi Evropës një pjesë të vetvetes. Por, çfarë bëmë ne?
Iu premtua nga kryeministri Edi Rama një varr monumental dhe një ceremoni varrimi ndërkombëtar në ditët e zisë. Ai premtoi solemnisht se do ta bënte këtë menjëherë në shtator, pak muaj pas atyre ditëve. Nuk ndodhi asgjë. Nuk u mbajt fjala dhe kjo nuk është një çështje simbolike. Është çështje e dinjitetit kombëtar.
Skënderbeu e Bogdani mbetën pa varr sepse pushtuesit turq e zhbënë prehjen e tyre për të goditur himnin tonë kombëtar. Fishtën dhe Konicën, po ashtu komunistët. Tani unë kam të drejtë të pyes. Pse po e shndërrojnë pavdeksinë e Kadaresë në heshtje dhe madhështinë në harresë?
Ne kemi një borxh, dhe ky borxh nuk është sentimental. Është kulturor, kombëtar, qytetar, politik dhe historik.
© SYRI.net